Gjykimi për aksidentin në Llaskarcë, Naumovski: Autobusi kishte manipulator
Autobusi i "Durmo Turs" ka pasur manipulator të shpejtësisë....

Autobusi i "Durmo Turs" ka pasur manipulator të shpejtësisë dhe secili shofer ka mundur të shfrytëzojë atë në çdo moment.
Kështu në seancën e sotme për rastin e Llaskarcës ka deklaruar shoferi i kësaj kompanie, Filip Naumovski, i cili ditën e fatkeqësisë ka qenë arkatar dhe pas kontrollit të biletave ka zbritur në lagjen Gjorçe Petrov dhe ka shpëtuar nga tragjedia. Ai tha se manipulatori i shpejtësisë është vendosur para 8 vitesh, ndërsa të njëjtin e posedojnë tre autobusë të kësaj kompanie.
"Besniku dhe unë shkuam së bashku tek një firmë. Së pari me njërin, pastaj me autobusin tjetër. Unë atëherë kisha vetëm disa muaj që isha i punësuar. Ishte një firmë afër Hekuranës. Besniku atje kërkoi që t’i vihet një buton që rrejshëm të tregojë shpejtësi më të vogël për 12-13 kilometra. Shoferët vet kanë vendosur se kur do ta shfrytëzojnë këtë pajisje, në rrugë të qytetit apo në autostradë",- tha shoferi, Filip Naumovski.
Ai tha se ditën e tragjedisë autobusin e kanë drejtuar 3 shoferë me të njëjtën lentë takografike, ndërsa as pronari, Durmish Beluli, e as shefi i tyre, Remzi Miftari, nuk janë interesuar se si plotësohen të njëjtat. Ditën e fatkeqësisë tha se nuk ka vërejtur diçka jo të zakonshme deri sa e ka drejtuar autobusin.
"Lentat e takografit ishin në kuti në autobus. Atje i linim të vjetrat dhe të rejën. Të gjithë vozisnim në një lentë. E dinim se nuk duhet, por kështu bënim. Atë ditë unë nuk e mbusha lentën takografike",- theksoi Naumovski.
Sa i përket orarit të punës, Naumovski tha se për atë janë dakorduar vetë shoferët mes vete. Sipas akuzës, ditën e fatkeqësisë autobusi është drejtuar me shpejtësi jo të përshtatshme.
Në këtë aksident tragjik të 13 shkurtit humbën jetën 16 persona dhe shumë të tjerë mbetën të lënduar. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
