Kulturë

Butel, hapet “Panairi i Vjeshtës 2019”

13.11.2019 16:41

Me rastin e 13 nëntorit - Ditës së Çlirimit të Qytetit të Shkupit në komunën e Butelit...

Me rastin e 13 nëntorit - Ditës së Çlirimit të Qytetit të Shkupit në komunën e Butelit, u hap “Panairi i Vjeshtës 2019”. Kryetari i komunës, Velimir Smilevski, thotë se ky aktivitet duhet të jetë tradicional, në një komunë multietnike si Buteli, ku së bashku me Shoqatën “Antika” si bashkëorganizatore, në të ardhmen synohet të sillet edhe gongu botëror i paqes.  
 
“Komuna e Butelit është nikoqire e diçkaje që është tradicionale, punime dore që janë punuar nga duart e njerëzve, asgjë nuk është punuar me makineri, ashtu siç është prodhuar para shumë vitesh. Buteli, si një komunë multietnike që ka edhe një pjesë rurale, do të jemi një bazë e mirë për të gjithë qytetarët tanë të shohin se çfarë është punuar viteve të kaluara”,- tha kryetari i komunës së Butelit, Velimir Smilevski.
 
Në këtë panair janë prezantuar punime të ndryshme të punuara në dorë nga vendet e rajonit, si Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Turqia.
 
“Ne jemi plisagjinj të vjetër, shumë kohë mirremi me këtë punë, kulturën shqiptare ne e mbajmë gjatë. Zanati ynë në familje është plisi dhe ne 120 vite e punojmë këtë punë, e kemi të trashëguar. Djemtë e mi janë gjenerata e katër që punojnë me plis”,- tha një  mjeshtër i artizanateve nga Prizreni.
 
“Këtë pune e punoj nga mosha 7 vjeçe, e kam të trashëguar nga gjyshja. Me këtë punë i kemi rritur fëmijët tanë para luftës kur nuk kanë punuar minatorët edhe tash e punojmë. Punimet e dorës i kam çuar edhe jashtë, në Gjermani, Norvegji, sepse atje paguhen më shumë, se sa këtu e në Kosovë”,- u shpreh një mjeshtër i artizanateve nga Mitrovica.
 
Panairi Vjeshtor në komunën e Butelit do të jetë i hapur deri të premten. 
 
REJHANE BUSHI METAJ