Maqedoni

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, MPB: 2 persona janë pajisur me dokumentacion

13.11.2019 16:54

Në kampin “Al Hol” të Sirisë po mbahen mijëra familje, në mesin e të cilave qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut...

Derisa Kosova dhe Shqipëria bëjnë përpjekje për t’i riatdhesuar shtetasit e tyre, një gjë të tillë akoma nuk po e bëjnë institucionet e vendit. Nga MPB theksojnë se posedojnë informata se sa shtetas nga Maqedonia e Veriut gjenden atje, por se deri më tani vetëm dy prej tyre kanë kërkuar të pajisen me dokumentacion dhe sigurim të transportit për në vendlindje. 
 
“Sipas informacioneve të cilat i disponon MPB, 4 gra shtetase të Maqedonisë së Veriut, së bashku me 7 fëmijët e tyre, gjenden në kampet e emigrantëve në Siri. Dy nga gratë e lartpërmendura me ndërmjetësim të Kryqit të Kuq kanë rënë në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme, nga të cilët kanë kërkuar pajisje me dokumente dhe realizim të transportit nga Siria për në Maqedoninë e Veriut. MPB nuk ka përgjegjësi për personat të cilët janë jashtë territorit dhe se për këtë kategori të personave dhe transporti eventual i tyre nuk është nën kompetenca të MPB-së. Theksojmë se kjo kategori e personave deri më tani nuk është lëndë për ndjekje penale”,- thuhet nga MPB.  
 
Julian Kasapi: Intervistuam vetëm një shtetase nga Maqedonia
 
Storja e publikuar nga TV A2 nga Shqipëria ka sjellë në vëmendje disa rrëfime të familjeve shqiptare që ndodhen atje, në mesin e të cilave është prononcuar edhe një grua nga Maqedonia. Në rrëfimin e publikuar ajo u bën apel institucioneve që të bëjnë të mundur evakuimin nga ai kamp, sepse, siç thotë, kushtet atje tani që shkojmë drejt dimrit janë shumë të vështira. TVM2 kontaktoi edhe gazetarin, Julian Kasapi, i cili prej disa ditësh tashmë gjendet pranë kampit “Al Hol”. Ai thotë se në mungesë të kohës nuk ka arritur të bisedojë me familje tjera që qëndrojnë atje. 
 
“Ne faktikisht takuam vetëm atë vajzë e cila tha emër dhe mbiemër dhe se ishte nga Maqedonia, por me siguri aty mund të ketë edhe persona tjerë. Për ne ishte e pamundur që të komunikojmë me gjithë ata, pasi koha nuk na premtonte dhe siguria nuk na lejonte për më tepër, por që me siguri mund të ketë dhe persona tjerë nga Maqedonia, njëra nga ta dha edhe identitetin e saj, gjë që e bën më të lehtë identifikimin nga ana e institucioneve, gjë që sigurisht duhet të ndërmarrin diçka”,- tha gazetari i TV A2, Julian Kasapi.
 
Rasti i djaloshit shqiptar, Alvin Berisha, i cili u rikthye me ndihmën e autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare, ka aktualizuar çështjen e riatdhesimit të familjeve shqiptare që po qëndrojnë atje. Muaj më parë, Kosova në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare arriti të finalizojë me sukses operacionin e riatdhesimit, duke rikthyer 110 qytetarë të saj nga Siria, përfshirë gra dhe fëmijë.
 
ZEKIRIJA MEXHITI