Maqedoni
Gjykata Penale, ndërpritet gjykimi i Gruevskit për “Trajektoren”
13.11.2019 17:14
Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, tani më ka një aktakuzë më pak, pasi që Këshilli Gjyqësor...

Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, tani më ka një aktakuzë më pak, pasi që Këshilli Gjyqësor e vlerësoi si lëndë të vjetërsuar rastin “Trajektorja”. Duke u bazuar në kërkesën e avokatit të tij, Goran Krkinski, deri te një vendim i tillë erdhi duke marrë parasysh kohën e kaluar prej gjashtë vitesh nga kryerja e krimit, ndërsa lënda e ngritur nga PSP ishte pa aktvendim të plotfuqishëm në gjykatë.
Ndryshe, të gjitha shpenzimet për seancat gjyqësore të deritanishme për rastin në fjalë bien në buxhet të shtetit. Gruevski ishte i ndjekur penalisht në këtë rast për keqpërdorime gjatë ndërtimit të autostradave Shtip - Milladinovs dhe Kërçovë - Ohër. Ai akuzohet për “Pranim të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, për të cilin është paraparë dënim me burg prej 1-3 vjet.
Sipas gjykatës, të akuzuarit në gjysmën e dytë të vitit 2012 si dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë më shumë akte me të cilat në procedurën e përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin e autostradave, ku kanë keqpërdorur dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Me këtë kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me së paku 155 milion euro.
Në lëndën “Trajektorja”, përveç ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, akuzohen edhe ish-ministrat, Mile Janakievski dhe Vladimir Peshevski, si dhe drejtori i Agjencisë së Rrugëve Shtetërore, Ljupço Georgievski, për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, për të cilët gjykimi vazhdon. Kjo pasi që ata janë të akuzuar për vepra për të cilat i janë përcaktuar dënime më të mëdha, ndërsa me këtë hiqet e drejta për të kaluar në lëndë të vjetruar.
LEUNORA KALIQI
