Maqedoni
Kuvend, Zeqir Ramçilloviç - nënkryetar i ri i Kuvendit
13.11.2019 17:37
Me 62 vota “për”, 16 “kundër” dhe “asnjë të përmbajtur”, deputetët zgjodhën Zeqir Ramçilloviqin nënkryetar të Kuvendit....

Ramçilloviq ishte pjesë e deputetëve të larguar nga VMRO-DPMNE, prandaj debati për zgjedhjen e tij nuk kaloi pa përplasje midis pushtetit dhe opozitës. Përfaqësuesit e opozitës thanë se Ramçilloviq është kuadër me merita, i cili sipas tyre ka dhënë kontribut të madh edhe në Komitetin ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
“Unë ju falënderoj, kolegë deputetë, megjithëse ngadalë, por keni filluar t’i kuptoni cilësitë e VMRO-DPMNE-së. Një nga ata është edhe kolegu ynë anëtar i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, gjatë viteve 2015-2017. Tani do të shqetësohem nëse dëgjoj kualifikime për qeverisje nga regjimi i VMRO-DPMNE-së dhe komitetit ekzekutiv me regjim, sepse kolegu deputet nga komiteti im ekzekutiv po merr mbështetje të plotë nga deputetët e BDI-së për të cilët nuk është aq shumë e tmerrshme, pasi që ishim në koalicion me ta, por mori mbështetje edhe nga LSDM”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Por, Jovan Mitrevski nga LSDM porositi VMRO-DPMNE-në se “duhet të mendohet pse i ikin kuadrot të cilët janë cilësorë”.
“Kolegë Micevski, pajtohem vetëm në pjesën për cilësitë e kolegut Ramçilloviq të cilat i theksuat. Ndërsa sa i përket asaj se pse është larguar nga Komiteti ekzekutiv i VMRO-DMNE-së si kuadër cilësor duhet që juve të ju brengosë dhe të planifikoni se çfarë është ajo që duhet ta bëni në të ardhmen. Lidhur me konceptin një shoqëri për të gjithë ne vazhdojmë në këtë drejtim. Pavarësisht nga cila bashkësi etnike vijnë qytetarët, ne do t’i mbështesim”,- tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
Zgjedhja e Ramçilloviqit si nënkryetar është pozitive, tha deputeti i BDI-së, Ejup Alimi.
“Ne si shumicë parlamentare kemi dhënë propozimin para gjithë deputetëve dhe besoj në një atmosferë pozitive duhet çuar mesazhi deri te shoqëria e cila jeton në Maqedoni, por edhe deri te komuniteti i cili duhet respektuar, te komuniteti boshnjak, se sot do të kenë një përfaqësues të lartë në Kuvend”,- u shpreh Ejup Alimi nga BDI.
Deputeti, Zeqir Ramçilloviq, ishte pjesë e tetë deputetëve të larguar nga VMRO-DPMNE, por më 1 nëntor të këtij viti me shkrim ka njoftuar kreun e Kuvendit, Talat Xhaferin, se në të ardhmen do të veprojë si deputet i pavarur.
NAIM RAMADANI
