Maqedoni

Qeveria miraton buxhetin për vitin 2020, ekspertët: Nevojitet rritje e BPV-së prej 5 deri në 6%

13.11.2019 17:47

Në mbledhjen e rregullt të 164 të Qeverisë u miratua Buxheti për vitin 2020....

Në mbledhjen e rregullt të 164 të Qeverisë u miratua Buxheti për vitin 2020, ku si prioritete strategjike janë caktuar sigurimi social dhe mbrojtja e qytetarëve, krijimi i klimës afariste të favorshme me politika në bashkëpunim me biznes-sektorin, partnerët socialë, mbrojtja e të drejtave të punonjësve, mosdiskriminimi, efikasiteti i rritur si dhe mbështetja dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, hapja e vendeve të reja të punës me masa aktive për punësim dhe rritja e nivelit të pagave në ekonomi, si dhe integrimi në NATO dhe fillimi i udhëheqjes së suksesshme të procesit të negociatave për aderimin e RMV-së në BE.
 
Të ardhurat e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2020 planifikohen në nivel prej 222,3 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 239,7 miliardë denarë. Të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara në këtë mënyrë rezultojnë me uljen e deficitit buxhetor në nivel prej 2,3% nga PBB ose 17.385 milionë denarë në vlerë absolute. Por, njëri nga themeluesit e Maqedonia 2025, Mike Zafirovski, vlerëson se shtetit i nevojitet rritje e BPV-së prej 5 deri në 6% që ta përmirësojë gjendjen ekonomike, por duhet të ekzistojë edhe mentaliteti i qasjes politike që të mbështetet rritja. Vendimi i BE-së të mos marrim datë për fillim të negociatave për anëtarësim, sipas Zafirovskit, është zhgënjyese, por duhet të jetë nxitje për reforma, ndërsa inkuadrimi në NATO është hap i rëndësishëm për stabilitetin e shtetit edhe nga aspekti i investimeve.
 
“BPV këtë vit do të rritet për 3,7 për qind, më mirë nga viti i kaluar kur ishte 2,9 për qind dhe më mirë nga ajo paraprake prej 1,1 për qind, megjithatë ajo nuk është e mjaftueshme, për ekonominë tonë për t’u rritur siç duhet nevojitet rritje prej 5-6 për qind. Mendoj se dy partitë kryesore politike do të pajtohen me këtë. Gjithmonë duhet të mendojmë në punët të cilat janë të lidhura me vendimin e KE-së të mos fillojë negociata, ndërsa njëra nga punët kryesore për të cilat duhet të mendojmë është gjithsesi është korrupsioni”,- tha themeluesi i “Maqedonia 2025”, Majk Zafirovski.
 
Sipas drejtoreshës ekzekutive të “Maqedonia 2025”, shteti duhet të fokusohet në përmirësimin e standardit jetësor pavarësisht nga integrimet euroatlantike dhe iniciativa të ndryshme, siç është ajo e Mini-Shengenit Ballkanik.
 
“Konsiderojmë se derisa vendi fokuson përpjekjet për përparim në këto fusha, do të arrijmë atje ku dëshirojmë, ndërsa ajo është përmirësimi i standardit tonë jetësor me atë në Bashkimin Evropian. BPV për kokë banori tek ne është 37 për qind nga mesatarja në BE. Duam të përparojmë këtu. Kjo është ajo që do të sjellë prosperitet dhe do të ndikojë për zvogëlimin e ikjes së trurit”,- tha drejtoresha ekzekutive e “Maqedonisë 2025”, Nikica Mojsovska Bllazhevski.
 
Këto komente u bënë gjatë fillimit të Samiti të 8 “Maqedonia 2025”, i cili do të mbahet në Shkup gjatë tre ditëve të ardhshme, ku  pritet të mbledh me një vend një numër të madh të ekspertëve vendorë dhe të huaj nga fusha e ekonomisë. Përmes samitit synohet lidhje e kompanive vendore me kompanitë e huaja.
 
GAZMEND KURTISHI