Maqedoni
Zgjedhjet e 12 prillit, Sela: Kundërshtojmë shtyrjen e zgjedhjeve
13.11.2019 18:17
Aleanca për Shqiptarët është kundër shtyrjes së zgjedhjeve të 12 prillit me alibinë se rrezikohet anëtarësimi në NATO...

Aleanca për Shqiptarët është kundër shtyrjes së zgjedhjeve të 12 prillit me alibinë se rrezikohet anëtarësimi në NATO, me faj të Spanjës, e cila s’ka ratifikuar protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, në pritje të formimit të qeverisë së re. Kryetari i partisë, Zijadin Sela, në emisionin debativ “Argument” në TVM2 thotë se Maqedonia e Veriut mund të ndjek shembullin e Malit të Zi, të ratifikojë paraprakisht vendimin për anëtarësim në NATO, ndërkaq të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet në të gjitha vendet anëtare të Aleancës. Sela thotë se çdo shtyrje e zgjedhjeve paraqet lojë të rrezikshme.
“Në qoftë se qëllimi ka qenë lojë politike që tani pas mosmarrjes së datës për hapje të negociatave ta heshtim opozitën që mos të shfaqe revolta popullore dhe hajt po themi një datë dhe pastaj të shkojmë në tetor në zgjedhje, mendoj që kjo është lojë e rrezikshme, se pse revolta do të jetë përsëri e qytetarëve do të shprehet vetëm një sinjal nëse vërejnë se nuk i qëndrohet marrëveshjes, aq më tepër që në të ardhmen do të krijonte precedent të rrezikshme dhe joseriozitet në takimin e liderëve”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Koalicionet parazgjedhore, Sela fton “Besën” dhe “Alternativën” për bashkëpunim
Aleanca për Shqiptarët më 12 prill synon ndryshimin dhe sjelljen e demokracisë. Partia është e hapur për koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Besa dhe Alternativën.
“Ne jemi të gatshëm që të bëjmë koalicion me Lëvizjen Besa dhe Alternativën, ka pas edhe propozime të tjera. Nuk ja marr të drejtën askujt që të ketë edhe propozime të tjera. Ne e kemi përgjegjësinë e sjelljes së ndryshimit, ndryshim që ka për qëllim të kthejë shpresën te i riu shqiptar, të gjithë ato të cilët largohen në mënyrë që ta zhvillojnë jetën e tyre këtu. Ne do të mbajmë peshën e fajit në qoftë se nuk ndodh ndryshimi. Prandaj, në kuadër të kësaj, unë bëj apel, ky duhet të jetë qëllimi, jo inatet personale. Ne e kemi për obligim ta kthejmë demokracinë”,- theksoi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Aleanca për Shqiptarët do të nis aktivitet e drejtpërdrejta me qytetarët në teren. Thekset e platformës zgjedhore partia e Selës do t’i vë në përmirësimin e cilësisë së arsimit, shëndetësisë, sigurisë, futjen e vetingut në drejtësi me emërimin e prokurorit special të huaj për kthimin e besimit në drejtësinë joselektive në vend.
MERAL ISMAILI
