Maqedoni

Palekvin: Paanshmëria e gjykatësve, garanci për trajtim të drejtë para ligjit

13.11.2019 18:25

RMV kishte probleme sistematike me sundimin e së drejtës dhe pengimi i drejtësisë ishte ndër problemet më të mëdha, sepse shoqërohej me korrupsionin....

Në raportin e KE-së për vitin 2019 nuk ishte potencuar ky problem, që do të thotë se është shënuar avancim, por ka edhe shumë punë për të bërë, u tha në debatin e organizuar nga Shoqata e Gjykatësve. Në debat u vlerësua se për përmirësimin e gjendjes në këtë sferë kontribuuan ndryshimet në Kodin Penal, me të cilin pengimi i drejtësisë definohet si vepër penale.
 
“Paanshmëria e gjykatësve është garanci kryesore se qytetarët do të trajtohen në mënyrë fer dhe të drejtë para ligjit. Ajo do të thotë se grupet e rrezikuara do të jenë të mbrojtura nga të pasurit dhe njerëzit me ndikim dhe administratorët publikë do t’u shërbejnë qytetarëve kundrejt agjendave politike”,- tha oficeri politik në Ambasadën e ShBA-ve, Dajana Palekvin.
 
Gjykatësit: Ka avancim në tejkalimin e ndikimeve politike  
 
“Ajo strukturë politike apo ata të fortët, në thojëza po e them, që do të mundohen të ndikojnë në gjyqësi, do të ndalohen nga ndërmarrja e veprimeve tona si gjykatës”,- tha Xhemali Sahiti.
 
“Ky fakt ndoshta u konfirmua gjatë miratimit të vendimeve gjyqësore që kanë ndikim në sistemin shoqëror dhe mendoj se po krijohet klimë pozitive që vërehej përmes debateve të hapura ku gjykatësit haptazi flasin për problemet e veta”,- u shpreh gjykatësi, Llazar Nanev.
 
Në takimin e organizuar nga Shoqata e Gjykatësve në Ohër, u potencua se reformat në gjyqësi janë mjet për krijimin e një shoqërie demokratike dhe të drejtë ku qytetarët do jenë të barabartë.
 
FLUTURA LATIFI