Botë

Kurti kundër Shengenit Ballkanik: Rama të priste formimin e qeverisë në Kosovë

13.11.2019 18:46

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quan të nxituar takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor...

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quan të nxituar takimin  e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër për krijimin e mini Shengenit rajonal. Për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, projekte të tilla Shqipëria duhet t’i nisë me Kosovën dhe jo me Serbinë.
 
“Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup, është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në flirtim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit nuk mund të ketë prioritet”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
 
Në intervistën për Report TV, Albin Kurti doli me mesazh për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, që sipas duhet të kishte pritur krijimin e qeverisë se re në Kosovë.
 
“Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të presë edhe pak javë që të formohet kjo qeveri, e të bashkëpunojmë siç duam të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim në Novi Sad e në Ohër, e nesër në Durrës, kur jemi në prag të formimit të qeverisë së Republikës së Kosovës, pra nëse kanë pritur shumë vite, është dashur të presin edhe pak javë”,- tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
 
Takimi i radhës i liderëve të rajonit do të jetë në 21 dhjetor në Durrës, ku sërish është e ftuar edhe Kosova.