Botë
ShBA, Trump priti Erdoganin në Shtëpinë e Bardhë
14.11.2019 10:29
Presidentin amerikan, Donald Trump, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.....

Trumpi dhe Erdogani u takuan në Zyrën Ovale ndërsa më pas dolën në konferencë për media. Trumpi tha se ai dhe Erdogani kanë qenë “miq shumë të mirë”, pothuajse nga “dita e parë”. Ai tha se me Erdoganin kanë diskutuar për sistemin mbrojtës raketor rus S-400 të cilin e ka blerë Turqia, sikurse edhe për programin e aeroplanëve luftarakë F-35. I pyetur nëse ka ndonjë mundësi që Turqia të përdorë edhe sistemin S-400 edhe të marrë pjesë në programin F-35 në të njëjtën kohë, presidenti amerikan tha se ai dhe Erdogani po flasin për këtë çështje.
Ndonëse pati kritika të shumta nga ligjvënësit amerikanë për takimin e Trumpit me Erdoganin për shkak të ofensivës ushtarake nga kurdëve në Siri, Trumpi tha se kurdët “nuk janë engjëj”. Për xhihadistët dhe familjarët e tyre që shkuan nga Evropa në Siri për t’ju bashkuar ISIS-t dhe që tashmë mbahen në kampet e administruara nga kurdët, presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ka biseduar me evropianët, por ata kanë thënë “jo, faleminderit”.
Ndërsa presidenti turk tha se vendi i tij është i gatshëm të hapë një faqe të re me SHBA-në në përputhje me frymën e aleancës. "Jemi të një mendimi për sa i përket avancimit të marrëdhënieve Turqi-SHBA mbi një bazament të fuqishëm dhe thellimit të bashkëpunimit", tha Erdogan. "Turqia është aleati i vetëm i NATO-s që ka luftuar ballë për ballë me ISIS dhe ka dhënë dëshmor për këtë qëllim", tha presidenti turk.
