Maqedoni

Zaev: BE dhe NATO, alternativë e vetme për RMV-në

14.11.2019 12:37

Kryeministri, Zoran Zaev, ripërsërit qëndrimin se nuk ka alternativë tjetër për RMV-në...

Kryeministri, Zoran Zaev, ripërsërit qëndrimin se nuk ka alternativë tjetër për RMV-në, pos BE-së dhe NATO-s. Bashkëpunimin ekonomik me Rusinë, Zaev e konsideron vetëm benefit për popullatën dhe jo strategji qeveritare. Ai thotë se raportet  me Rusinë dhe botën tjetër nuk duhet kuptuar si mesazh për Bashkimin Evropian, pas mosmarrjes së datës për bisedime.
 
“Për mua alternativë për BE dhe NATO nuk ekziston. Këtë  e ka thënë edhe populli ynë. Mbi 80% e popullatës është pro integrimit të RMV-së në BE dhe NATO. Interesi ynë është të bashkëpunojmë edhe me botën tjetër, gjë që e bëjnë edhe vendet e BE-së dhe NATO-s,  sepse kjo sjell benefit dhe prosperitet për popullin tonë,  por  përsëris se alternativë për BE nuk ka dhe do të vazhdojmë në këtë proces”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev për vizitë në Greqi, takon kryeministrin Micotakis
 
Për raportet ekonomike dhe eurointegrimin e vendit, Zaev sonte do të bisedojë edhe me kreun e qeverisë greke Micotakis në Selanik.
 
“Para së gjithash, tema ekonomike, sepse jemi në forum ekonomik në Selanik, por gjithsesi se do të bisedojmë për agjendën evropiane. Jam falënderues që Greqia është e kyçur drejtpërdrejt pozitivisht në përparimin e agjendës sonë evropiane. Do të diskutojmë edhe për Samitin e NATO-s, të javës së ardhshme”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Me zyrtarët e Greqisë, Zaev tha se do të diskutohet për ecurinë e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, për të cilën konsideron se jetësimi i saj përforcon dukshëm marrëdhëniet mes dy shteteve dhe popujve fqinjë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU