Ekonomi

Bashkëpunimi ekonomik me Rusinë, Qeveria fton bizneset të ndërtojnë partneritet

14.11.2019 15:05

Bashkëpunimi ekonomik mes Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut është në nivel të ulët...

Bashkëpunimi ekonomik mes Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut është në nivel të ulët, por potenciali është i madh. Por, që kompanitë ruse të investojnë në vendin tonë, atyre u duhen krijuar kushte të volitshme, u potencua në forumin e biznesit mes dy vendeve, që u mbajt në Shkup. Qeveria u apeloi kompanive ruse të investojnë në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe të ndërtojnë partneritete me kompanitë e vendit, sidomos në sektorin e bujqësisë, por edhe në sfera të tjera.  
 
“Kemi ftuar zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve apo tregtarëve me prodhime bujqësore, të hapin një qendër të distribuimit të prodhimeve bujqësore dhe ne do t’i plotësojmë të gjitha kushtet nga ana jonë”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
“Kompanitë e Maqedonisë së Veriut i plotësojnë kërkesat fito-sanitare nga Federata e Rusisë për eksport të prodhimeve bujqësore të Maqedonisë në tregun rus”,- u shpreh ministri i bujqësisë, Trajan Dimkovski.
 
“Rusia është e gatshme për blerje të mallrave dhe shërbimeve  nga vendi juaj, posaçërisht nga agrosektori, por potencial serioz për thellimin e bashkëpunimit ka edhe në transport, lëvizjen e mallrave dhe në komunikacionin ajror”,- theksoi zëvendësministri i Rusisë për zhvillim tregtar dhe industrial, Aleksej Gruzdev.
 
Forumi mes RMV-së dhe Rusisë është në kuadër të sesionit të 9 të Komisionit të përbashkët ndërqeveritar, i cili aktivizohet pas një pauze prej 5 viteve.
 
ERSAN PAJAZITI