Maqedoni
Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Murtezani: Shteti, më seriozitet në këtë çështje
14.11.2019 17:21
Shteti duhet të tregojë më shumë seriozitet në lidhje me riatdhesimin e dhjetëra familjeve shqiptare nga Maqedonia e Veriut...

Shteti duhet të tregojë më shumë seriozitet në lidhje me riatdhesimin e dhjetëra familjeve shqiptare nga Maqedonia e Veriut që gjenden nëpër kampet e luftës në Siri dhe Irak.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hasim Murtezani, thekson se për riatdhesim të shtetasve tanë që gjenden atje, duhet të merret shembull operacioni i suksesshëm që realizoi Kosova muaj më parë.
“Rastet e këtilla që kemi shtetas në kampet e Sirisë padyshim që shteti duhet të ketë interesim serioz për riatdhesim apo rikthim të atyre njerëzve, pastaj është faza tjetër që kërkon trajtim të personave të këtillë, në veçanti të grave dhe fëmijëve. Ideja është se ne kemi një shembull shumë të suksesshëm me Kosovën, e cila para 6 muajve bëri riatdhesimin e qytetarëve nga luftërat e Sirisë”,- tha eksperti i çështjeve të sigurisë, Hasim Murtezani.
Situata e rënduar atje nëpër kampe imponon nevojën për ndërhyrje të shpejtë për rikthim e qytetarëve, vlerëson Murtezani.
“Realisht ata përballen me situatën dramatike, kanë mungesë të barnave, mungesë të kushteve elementare. Interesimi i shteti duhet të jetë për çdo qytetarë, pavarësisht veprimeve anti ligjore që kanë ndodhur në të kaluarën, pasi pastaj për këto raste ka masa ndëshkuese, rehabilituese... Është e rëndësishme që në këto momente t’iu dalim në ndihmë atyre njerëzve të cilët janë viktimë e kryefamiljarit”,- tha eksperti i çështjeve të sigurisë, Hasim Murtezani.
A2 ka vazhduar të sjellë rrëfimet e familjarëve nga Maqedonia që kanë anëtarët e tyre nëpër këto kampe. Familjarët e familjes Fidani nga Gostivari përcollën sërish apele ndaj shtetit që të bëjë të mundur rikthimin e familjes 4-anëtarëshe që gjendet në kampin “Al Hol” të Sirisë.
Nga MPB njoftojnë se kanë të dhënat vetëm për rreth 11 shtetas që gjenden në kampin “Al Hol”, por mësohet se ky numër është dyfish më i madh.
TVM2 disa herë ka tentuar të kontaktoj MPJ-në për atë se sa është numri i saktë i qytetarëve nga Maqedonia atje, por këta të fundit na u arsyetuan se po bëjnë grumbullim të të dhënave dhe se do të na njoftojnë shumë shpejt.
Që nga fillimi i konfliktit sirian, deri më tani rreth 80 shtetas të Maqedonisë të cilët ishin të përshirë në veprime luftarake, logjistikë apo kanë qenë shoqërues, janë kthyer në Maqedoni, shumica prej tyre janë dënuar sipas ligjeve në fuqi.
ZEKIRJA MEXHITI
