Maqedoni

Varhejli: Shkupi dhe Tirana të fillojnë negociata para majit

14.11.2019 17:39

Hungarezi, Oliver Varhelji, u dëgjua dhe vlerësua për rreth dy orë e gjysmë nga eurodeputetët...

Hungarezi, Oliver Varhelji, u dëgjua dhe vlerësua për rreth dy orë e gjysmë nga eurodeputetët për aftësinë e tij për ta kryer funksionin e komisarit për zgjerim dhe politikë fqinjësore të BE-së në 5 vitet e ardhshme.
 
Ambicia e tij është të arrijë t’i bindë vendet anëtare se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat për anëtarësim me BE-në para Samitit BE-Ballkan perëndimor në Zagreb në maj. 
 
Specifike për Maqedoninë e Veriut, hungarezi përkujtoi se liderët evropianë masovikisht e vizitonin Shkupin para referendumit për Marrëveshjen me Greqinë dhe i premtuan vendit se nëse referendumi do të ketë sukses, negociatat do të hapen. Kandidati për trashëgues të Johanes Hanit konfirmoi se zgjerimi dhe thellimi i Bashkimit Evropian janë procese të cilat mund të shkojnë paralelisht. 
 
“Duhet t’i hapim negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kjo do të thotë se duhet të qëndrojmë qartë prapa parimit të anëtarësimit dhe prapa parimit të meritës individuale njëkohësisht… Asnjë proces inkuadrues nuk mund të jetë kredibil pa parimin e meritës vetanake. Duhet t’i përmbahemi kësaj, ndoshta do të vijmë në pikën kritike ku, një, dy apo tre vende i përmbushin kriteret. Nuk kam paragjykime lidhur me atë, nëse është një, është një, nëse janë dy – dy, tre – tre, por nuk guxojmë ta pengojmë askënd në sukses, nëse tregojnë angazhim, edhe ne duhet të tregohemi, kështu që është e mundur të braktiset parimi i pakos, por nuk e përjashtoj mundësinë për pako”,- tha kandidati për komisar për zgjerim dhe politikë fqinjësore në BE, Oliver Varhelji.
 
Ballkani është rajon mjaft i ndjeshëm dhe puna jonë është të krijojmë prosperitet afatgjatë, shtoi hungarezi.
 
Nuk munguan pyetjet për azilin e ish-kryeministrit të dënuar, Nikolla Gruevski, të miratuar nga Qeveria hungareze, por Varhelji në mënyrë shumë të shpejtë u distancua nga ai vendim, duke cekur se sipas rregullave në BE, vendimet për azil janë kryesisht nën kompetenca të vendeve anëtare, dhe se ai si komisar i ardhshëm nuk do të pranojë instruksione nga asnjë vend anëtar.
 
BESIM ABDULLAI