Maqedoni
LSDM: Anti-korrupsioni të “shoshisë” prokurorët. Kolevski: Ide e mirë, por jo tani
14.11.2019 17:56
Rritet interesi politik për një proces vetingu në sistemin e jurisprudencës...

LSDM në pushtet, kërkon që këtij procesi t’i paraprijë shoshitja e prokurorëve dhe gjykatësve nga Komisioni për Parandalim të Korrupsionit.
“E ftojmë Komisionin Shtetëror për parandalim të Korrupsionit të fillojë procedurë për kontroll të pasurisë së gjykatësve dhe prokurorëve, menjëherë. Njëkohësisht, LSDM paralajmëron se fillon procedurë të plotë dhe për veting të plotë për të gjithë gjykatësit. Proces që do të fillojë menjëherë pas formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga LSDM”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Paralajmërimi për një proces vetingu, edhe pse konsiderohet si ide e mirë, nuk u mirëprit nga kreu i Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevski.
Ai dyshon se ky proces mund të ketë rezultate pozitive në një periudhë kur prokuroritë përballen me mungesë prokurorësh.
“Gjithsesi se është mirë kontrolli i gjendjes pronësore dhe kualiteteve të tjera të prokurorëve publik, por në këtë moment ne po përballemi me mungesë të madhe të kuadrit të prokurimit publik. Kështu që nuk e di nëse do të ketë efekte pozitive vetingu i paralajmëruar”,- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevski.
Këshilli i Prokurorëve, plotësoi tetë vende vakante në Prokurorinë Themelore në Shkup dhe pesë të tjera në brendi të vendit. Vende të zbrazëta ka edhe në Prokurorinë për Krim të Oreganizuar.
Problemin nuk e zgjidhi as kthimi i prokurorëve nga Prokuroria Speciale pasi ata merren vetëm me rastet që ngriti Specialja.
Për një proces vetingu në sistemin e jurisprudencës angazhohet edhe BDI në qeveri. Madje, partneri shqiptar kërkon që ky proces të fillojë menjëherë. Aktualisht, një proces i tillë po zhvillohet vetëm, në MPB.
SHPËTIM NUREDINI
