Maqedoni
Ndotja e ajrit, OJQ-të te Pendarovski, kërcënojnë me protesta
14.11.2019 18:13
Shoqatat joqeveritare janë lodhur me mosangazhimin serioz të autoriteteve qendrore për zgjidhjen e problemeve...

Shoqatat joqeveritare janë lodhur me mosangazhimin serioz të autoriteteve qendrore për zgjidhjen e problemeve me ndotjen dhe vendosën të ankohen tek presidenti Pendarovski.
Paralajmëruan se nëse nuk dëgjohen as kësaj here, do të organizojnë protesta masive për të ndërgjegjësuar autoritetet se ndotja ka të bëjë me jetën e tyre, e me jetën nuk luhet. Masat e ndërmarra deri tani, OJQ i cilësuan si populiste, e këtë deklarim e mbështetën në faktin se masat nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
“Derisa as kjo nuk plotësohet, ju garantoj të paktën për pjesën e Manastirit, por edhe të gjithë bashkë që jemi këtu se do të thërrasim në pandëshkueshmëri qytetare para zgjedhjeve do të dalim aty ku njerëzit na respektojnë, do të kërkojmë që të mos dalin në zgjedhje, thjesht ta bllokojmë gjithë këtë aparat shtetëror, sepse po i tejkalon të gjithë kufijtë”,- tha Dushko Gruevski nga OJQ - Manastiri.
“Meqë vijmë nga rajoni i Pollogut kemi kërkuar që të ndikojë në shpalljen e Malit Sharr, si park nacional përpara se të thahen të gjitha lumenjtë dhe përpara se të priten të gjitha pyjet nga mafia e hidrocentraleve, për të cilat po ashtu kemi kërkuar nga presidenti të kërkojë nga autoritetet të ndalet menjëherë ndërtimi i hidrocentraleve të vogla të cilat kanë ndikim shumë të madh negativ”,- tha Arianit Xhaferi nga “Eko Guerila”.
Presidenti Pendarovski premtoi se në seancën e ardhme të Këshillit të Sigurisë do ta ngrejë çështjen e ajrit të ndotur në nivel të sigurisë shtetërore.
GAZMEND REXHEPI
