Maqedoni

Mosvendosja e flamurit shqiptar, reagime e protesta në Kumanovë. Dimovski: Vumë flamujt e shteteve që erdhën në festim

14.11.2019 18:30

Mosvendosja e flamurit shqiptar në ballkonin e godinës së komunës në Kumanovës...

Mosvendosja e flamurit shqiptar në ballkonin e godinës së komunës në Kumanovës në ditën e çlirimit dhe shënimin e 500 vjetorit të qytetit, ka shkaktuar reagime të shumta të qytetarëve shqiptarë të Kumanovës që protestuan para komunës. 
 
“Qyteti i Kumanovës qenka themeluar qe 500 vjet, por flamuri i Skënderbeut është më i vjetër se kaq, i cili më shumë se 500 vjet ka kaluar nëpër perandori e federate të ndryshme e nuk është ulur kurrë. Flamuri si gjithmonë i ka bashkuar shqiptarët. Zotri Dimitrievski, ju me punën tuaj po dëshmoni se jeni duke zbatuar politika që favorizojnë vetëm komunitetin maqedonas, ndërkaq shqiptarët i keni lënë në harresë”,- tha Hekuran Jashari nga Këshilli organizativ i protestës. 
 
Kanë reaguar edhe partitë politike. BDI ka bojkotuar seancën solemne të shënimit të 500 vjetorit të qytetit. ASh përkujton se një shoqëri për të gjithë nuk ndërtohet pa respektuar shqiptarët.
 
“Edhe ne si subjekt politik kemi pasur vërejtet tona, ku për këtoë arsye edhe e bojkotuam seancën solemne për 500 vjetorin e themelimit të qytetit tonë”,- theksoi këshilltari i BDI-së në Këshillin e Kumanovës, Feriz Dërvishi.
 
“Kjo pra tregon se politika e kreut të Kumanovës dhe kreut të LSDM-së, për një koncept jo si e thirrin atë “koncept për të gjithë”, por ne si ASh e vlerësojmë se pas këtij koncepti fshihet koncepti i maqedonizimit, sepse dëshirojnë të maqedonizojnë gjithçka”,- tha këshilltari i ASh-së në Këshillin e Kumanovës, Osama Muadini.
 
Kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, tha se janë vendosur vetëm flamujt shtetërorë të qyteteve me të cilët Kumanova është binjakëzuar e nga Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfaqësues prandaj flamuri nuk u vendos. 
 
“Në komunën e Kumanovës respektohen të gjitha dispozitat ligjore të cilat janë në fuqi. Gjatë shënimit të festave të qytetit, për nder të qyteteve që vijnë si mysafir, i vendosim flamujt e shteteve të tyre. Nga qyteti ynë vëllazëror, Durrësi, nga Shqipëria fqinje, nuk u paralajmërua asnjë delegacion, andaj edhe nuk është vendosur flamuri shqiptar krahas flamujve tjerë”,- deklaroi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
Dimitrievski rikujtoi se nuk i bën problem flamuri shqiptar e këtë e ka treguar pas fitores në zgjedhjet lokale, ku ka mbajtur në dorë pikërisht këtë flamur në respekt të votuesve shqiptarë.
 
FATLUM AQIFI