Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Diabetit, çdo vit regjistrohen 3800 pacientë të rinj
14.11.2019 19:16
Mbi 3.800 pacientë të rinj diagnostikohen pothuajse çdo vit në vend me diabet...

Në vitin 2018, 123.850 persona gjithsej janë diagnostikuar me këtë sëmundje kronike, nga 120 mijë sa ishin në 2017, thonë të dhënat e Komisionit Nacional për Diabet. Mbi 50% e personave të sëmurë janë në grupmoshën 40 - 65 vjeç, pra persona të aftë të punojnë.
“Sipas të dhënave nga sistemi elektronik “Termini im” për këtë vit kemi të regjistruar diku 123 mijë e 850 persona me diabet, ndërsa sa i përket grupmoshave tek njerëzit me diabet dominon mosha prej 40 vjeç deri në 65 vjeç, sa i përket pacientëve që trajtohen me insulinë, numri i tyre është 40 mijë”,- tha kryetari i Komisionit Nacional për Diabet, Irfan Ahmeti.
“Me ndryshimin ligjor kemi sjellë insulina origjinale me certifikatë, që janë në të gjitha vendet e zhvilluara europiane dhe përveç kësaj kemi sjellë edhe tre insulina të reja dhe dy analoge të reja të insulinës si dhe tableta dhe me këtë dukshëm përmirësohet cilësia e trajtimit të diabetit si sëmundje, ndërsa përmirësohet edhe efekti kardiovaskular”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Mjekët thonë se që të parandalohen komplikimet e shumta duhet të merren masa preventive në kohë dhe me terapi adekuate.
“Mund të jenë komplikime me zemrën, siç është infarkti i miokardit, goditja në tru, komplikimet me veshkat që mund të çojnë në dializë, komplikimet me sy që mund të vijë deri në verbërim, komplikimet me nervat që mund të pësojë edhe në amputimin e gjymtyrëve”,- theksoi drejtoresha në Klinikën e Endokrinologjisë, Sasha Mishevska.
“Diçka që edhe më tej e kemi problem janë aparatet, jo që nuk janë të mira, por megjithatë çdoherë mundet edhe më mirë, besojmë se siç tha ministri do të merret parasysh me buxhetin e ri dhe me planprogramet që zhvillojnë në Ministri”,- tha Bojan Kirov nga Shoqata e Diabetit.
Sipas të dhënave nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit numri i të sëmurëve në nivel botëror është rreth 425 milion. Nëse numri vazhdon të rritet me këtë trend, numri i të sëmurëve nga diabeti pas 20 viteve do të arrijë në 630 milionë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
