Maqedoni
Administrata e Gjyqësorit në protestë, kërkon paga më të larta, pakënaqësi ndaj KBGJ-së
15.11.2019 15:25
Administrata e Gjyqësorit në të gjitha gjykatat e vendit ka protestuar kundër vendimeve të Këshillit Buxhetor Gjyqësor...

Administrata e Gjyqësorit në të gjitha gjykatat e vendit ka protestuar kundër vendimeve të Këshillit Buxhetor Gjyqësor për rritje jo të barabartë të shtesave të gjykatësve dhe administratorëve gjyqësorë dhe për mosmiratimin e vendimit përfundimtar për pagesën e pagave për një pjesë të të punësuarve që morën pjesë në grevën e vitit 2016. Gjegjësisht me vendimin e Këshillit Buxhetor Gjyqësor shtesat në pagat e gjykatave janë rritur për 10%, ndërsa administrata e gjyqësorit dhe personelit ndihmës teknik për 5%.
“Kërkesat tona janë të jemi të barabartë me gjykatësit sa i përket pagesës. Edhe më herët kemi qenë në grevë por nuk kemi fituar asgjë. Unë jam optimist dhe besoj se kjo protestë do të jetë i suksesshme”,- tha një protestues.
“Kishte një rritje kohën e fundit, megjithatë ajo ishte minimale, në krahasim me atë pjesën tjetër çfarë ndodhte. Për atë dhe po protestojmë”,- u shpreh një protestuese.
Nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës Gjyqësore theksojnë se kanë pakënaqësi të mëdha ndaj Këshillit Buxhetor Gjyqësor.
“Revolta është e madhe. Ne nuk duam t’i kontestojmë pagat e as shtesat në paga për gjykatësit, kontestojmë një raport johuman nga ana e atyre që vendosin për Administratën Gjyqësore, për shkak se marrëveshja është që shtesat në paga të marrin njësoj në përqindje dhe ajo ishte dy muaj”,- tha kryetari i SPAOGJSH, Pece Grujoski.
“Apelojmë Këshillin Buxhetor Gjyqësor të ndërpresë praktikën e diskriminimit dhe injorimit ndaj Administratës Gjyqësore me sjelljen e vendimeve, sipas të cilave të holla për gjykatësit gjithmonë ka ndërsa për Administratën e Gjyqësorit, jo. Kërkojmë që menjëherë t’u paguhen të hollat kolegëve tanë nga Policia e Gjyqësorit, personelit ndihmës-teknik, të pensionuarve dhe të punësuarve që kanë të ardhura më të ulëta”,- u shpreh kryetari i Shoqatës Sindikale pranë Gjykatës së Apelit – Shkup, Petre Nedellkovski.
Nga kjo Sindikatë kërkojnë të kenë përfaqësues në Këshillin Buxhetor Gjyqësor dhe në Këshillin e Shërbimit Gjyqësor, si dhe definim të pozitës së shërbimit gjyqësor. Nga Sindikata thanë se do të përdorin mënyra të tjera të presionit mbi Këshillin Buxhetor Gjyqësore dhe jo me grevë, me qëllim të mos vijë deri tek ndalesa në paga, siç ka ndodhur më herët, tha Grujovski.
FLORIJE BELULI KAMBERI
