Maqedoni
Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria. Institucionet pa të dhëna të sakta
15.11.2019 15:54
Derisa investigimet e mediave kontaktojnë familjet shqiptare nga Maqedonia e Veriut në kampet e Sirisë...

Derisa investigimet e mediave kontaktojnë familjet shqiptare nga Maqedonia e Veriut në kampet e Sirisë, autoritetet vendore përpos që kanë mungesë të dhënash për numrin e saktë të shtetasve atje, një operacion për riatdhesimin e tyre duket akoma edhe më larg.
Në një përgjigje me shkrim, MPJ në kërkesën tonë për të mësuar numrin e familjeve nga Maqedonia e Veriut në kampet në Siri, theksuan se janë të njoftuar për vetëm një person që gjendet në kampin e emigrantëve në Siri.
“Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së është e njoftuar me vetëm një rast për një person i cili gjendet në kampin e emigrantëve në Siri. Për shkak të situatës së vështirësuar në atë vend, komunikimi me personin e lartpërmendur është i vështirësuar. MPJ, përmes Ambasadës së Maqedonisë në Ankara dhe në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare joqeveritare dhe në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, po provojmë të vëmë kontakt me personin në fjalë me të vetmin qëllim, kthimin eventual të tij në RMV”,- u tha nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Por, ndryshe nga MPJ, Ministria e Brendshme jep të dhëna tjera në lidhje me numrin e familjeve nëpër kampet e Sirisë.
Nga MPB thonë se deri te ata, 4 gra bashkë me 7 fëmijët e tyre kanë kërkuar që nga Siria të kthehen në vendlindje.
Çështje e riatdhesimit të dhjetëra familjeve shqiptare është aktualizuar edhe në Shqipëri nga ku me ngulm u kërkohet institucioneve shpëtimi i shqiptarëve nga kampi “Al Hol” në Siri, pasi kushtet për jetesë atje janë mizore.
ZEKRIJA MEXHITI
