Maqedoni

Anti-korrupsioni hapë lëndë ndaj zëvendëskryeministrit Angjushev

15.11.2019 16:21

Komisioni për Anti-korrupsion ka hapur lëndë për zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev...

Komisioni për Anti-korrupsion ka hapur lëndë për zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev, për shkak të vendimit të qeverisë për zvogëlimin e doganës për bateri litium për akumulatorë.
 
Sipas Anti-korrupsionit, Angjushev ka marrë pjesë në seancën e qeverisë kur është sjellë vendimi dhe ka dhënë propozim se si të miratohet vendimi që të mund të pranohet nga Ministria e Financave.
 
Lidhur me këtë, Anti-korrupsioni kërkon nga kryeministri të ngrit iniciativë për vërtetimin e përgjegjësisë për shkak të interesave private nga ana e Angjushevit.     
                                                                   
“Në bazë të të gjitha dokumentacioneve që kemi pranuar dhe në bazë të intervistës që realizuam me Koço Angjushev, Komisioni Shtetëror për Anti-korrupsion konstaton se personi Koço Angjushev ka dorëzuar raport deri te Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë se tërhiqet nga debati dhe vendimmarrja gjatë tërë debatit për propozim vendimin e përgatitur në pajtueshmëri me kërkesat e Odës Ekonomike. Nga Ministria e Ekonomisë na informuan se nuk kanë marrë shkresë të tillë dhe në raport nuk ka vulë nga të dyja institucionet. Ky person nuk ka dhënë deklaratë për tërheqje nga veprimi i mëtejshëm në fazën e dytë të propozim vendimeve, sepse ka interes privat, në fakt kur ka negociuar me firmën e huaj, edhe pse nga qeveria e pranojnë dhe marrin parasysh raportin edhe për këtë”,- deklaroi kryetarja e Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska.                       
                                            
Anëtari i Anti-korrupsionit, Shemshi Salai, tha se situata nuk është akoma e qartë nëse ka pasur konflikt interesi për Angjushevin. Joligjore sipas tij deri tani  është pjesëmarrja e tij në debat.
 
“Në bazë të ligjit tonë nuk duhet as të marrë pjesë. Këtu është shkelja e ligjit, sepse nuk duhet të marrë pjesë, por nuk kemi situatë të qartë gjatë votimit”,- u shpreh anëtari i Anti-korrupsionit, Shemshi Salai.                                                                           

Angjushev: Plotësisht i kam respektuar procedurat ligjore

Pas vendimit të Anti-korrupsionit ka reaguar me shkrim zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
“Në mënyrë kategorike deklaroj se në kryerjen e funksionit zëvendëskryeministër i angazhuar për çështje ekonomike, plotësisht kam respektuar procedurat ligjore. Në rastin konkret lidhur me lëndët e iniciuara nga Komisioni Anti-korrupsion, kemi dorëzuar të gjitha të dhënat dhe dokumentet me qëllim që t’ju mundësojmë të vërtetojnë të vërtetën materiale. Në rastin konkret për uljen e shkallës doganore për akumulatorët, edhe njëherë vërtetoj se në lëndën konkrete kam dorëzuar deklaratë se tërhiqem nga veprimi dhe vendimmarrja”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Anti-korrupsioni mbylli lëndën ndaj Mickovskit

Anti-korrupsioni ka mbyllur edhe lëndën kundër kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili po hetohej pas dyshimeve për marrje të koncesionit për ndërtim të hidrocentraleve gjatë kohës kur ishte drejtor i ELEM-it.
 
Anti-korrupsioni ka konstatuar se nuk ka asnjë konflikt interesi për rastin për shkak se gjatë kohës kur është shpallur tenderi, Mickoski nuk ka kryer asnjë funksion.                                                                                                                           
“Akuzat e publikut dhe mediave për pasuritë dhe financimin e kompanive të tij janë të pabaza për këtë vlerësojmë se nuk ka hapësirë për procedurë dhe propozoj procedimi i lëndës të ndërpritet. Në prill të vitit 2015 ai ishte zgjedhur këshilltar i kryeministrit të atëhershëm, Nikolla Gruevski. Në momentin e shpalljes së tenderit ai nuk po kryente asnjë funksion”,- deklaroi anëtarja e Anti-korrupsionit, Katica Nikollovska.                                        
 
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolloski, ka përshëndetur vendimin e Anti-korrupsionit, duke theksuar se pafajësia e Mickovskit që zbardhi Anti-korrupsioni, e dëshmon sinqeritetin që e bën të dallojë opozitën maqedonase nga LSDM. 
 
NERMIN MUALKI FEJZULLAHU