Maqedoni

Bastiset shtëpia e Remenskit, Policia konfiskon dokumente të besueshme. Remenski: Dokumentet nuk kanë lidhje me vepër penale

15.11.2019 16:45

Policia gjen dokumente të besueshme në shtëpinë e deputetes së dyshuar të LSDM-së, Frosina Remenski...

Nga Prokuroria për krim të organizuar konfirmojnë lajmin e gjetjes së dokumenteve gjatë bastisjes në kuadër të hetimit të ri për rastin “Zhvatja” e që ka të bëjë me organizatën joqeveritare të Bojan Jovanovskit, ku Remenski ishte kryetare nderi.
 
Megjithatë, Prokuroria përgënjeshtron informacionet se dokumentet e konfiskuara kanë të bëjnë me rastet “Monstra” dhe “Lagjja e Trimave” dhe shkresa të njerëzve të parë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
 
“Gjatë bastisjes së shtëpisë të të dyshuarës janë gjetur dokumente dhe për të njëjtat janë informuar institucionet kompetente për të ndërmarrë procedurë të mëtejme. Dokumentet nuk kanë të bëjnë me rastet e përmendura”,- thonë nga Prokuroria.
 
Dokumentet tanimë janë dorëzuar për ekspertizë që të vërtetohet se bashkëshorti i Remenskit, Jovçe Remenski, i cili ishte ndihmës drejtor në DSK, a ka pasur autorizim nga drejtori i DSK-së që të ruajë informacione të besueshme të shtëpisë së tij.
 
Deputetja Remenski në reagimin e saj bastisjen e ka cilësuar si qëllim të keq dhe tendencioz, pasi përfshihet edhe emri i bashkëshortit të saj, përderisa ajo posedon certifikatë të sigurisë për sekrete shtetërore. 
 
“Në shtëpi janë marrë dokumente që nuk burojnë dhe nuk janë lëndë e ndonjë vepre penale. Dokumentet nuk janë dashur të merren nga një bastisje e jashtëligjshme, janë marrë nga unë dhe jo nga bashkëshorti im, andaj përfshirja e emrit të bashkëshortit është tendencioze”,- është shprehur Remenski.
 
Për Frosina Remenskin, gjykata më 10 tetor vendosi masat e kujdesit. Asaj i është marrë pasaporta dhe një herë në javë paraqitet në gjykatë. 
 
Në hetimin e ri të rastit “Zhvatje” janë përfshirë gjithsej pesë persona të cilët dyshohen se kanë ndihmuar Boki 13 në veprën penale “mashtrim dhe pastrim parash” në kuadër të organizatës së tij.
 
MERAL ISMAILI