Botë

Shqipëri, Meta paralajmëron shpërndarjen e kuvendit; Rama: Meta i ka shpallur luftë drejtësisë

15.11.2019 18:31

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, paralajmëroi sot shpërndarjen e parlamentit si kundërpërgjigje...

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, paralajmëroi sot shpërndarjen e parlamentit si kundërpërgjigje për të gjithë ata që guxojnë të përdhosin kushtetutën. 
 
Meta hodhi edhe idenë e një referendumi duke u shprehur se është detyrë e popullit dhe e presidentit që të mbrojnë kushtetutën.
 
“Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura! Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë! Është institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi. Parlamenti me një dekret shpërndahet! Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet! Presidenti, me një “impeachment” nga një parlament, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”,- tha Meta.
 
Nuk vonoi reagimi i kryeministrit, Edi Rama, i cili tha se presidenti, i ka shpallur lufte te hapur jo atij, por drejtësisë.
 
“Një histori e zakonshme me Ilir Metën dhe edhe një herë tjetër përplasja është jo mes nesh dhe Ilir Metës, por mes Ilir Metës dhe drejtësisë. Dhe edhe një herë tjetër për këdo që do të kuptojë pa hyrë në të thella jemi përballë si Kuvendi i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer institucionin në një frëngji prej ku sulmon nga të katër anët duke qenë ne këtu 100 % jo 99%, por 100 % në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE dhe natyrisht pastaj është e lehtë të kuptohet pse si çdo herë tjetër Ilir Meta nuk kursen as partnerët strategjikë dhe as dy aleatët e mëdhenj të palëkundur të Shqipërisë, SHBA dhe BE”,- theksoi Rama.
 
Ndërsa, Lulzim Basha i Partisë Demokratike, gjithë një takimi me fermerë u shpreh se nuk bëhet shtet me noterë e parukierë dhe se parlamenti duhet shpërndarë.
 
“Nuk është gjykata ime, është gjykata juaj. Me noterë e parukierë siç i tha Presidenti nuk bëhet shtet. Sot ka dy mënyra, një mënyrë është të bësh sikur bën teatër bashkë me ta dhe asgjë nuk kishin për të ndaluar. Nëse prisni të dal në duel me Ramën të zgjidh problemet, atëherë nuk kemi arritur asgjë. Unë nuk ju shkrij së qeshuri me batuta, as nuk bëj foto me Ronaldon. Unë punoj e përpiqem për ju”,- u shpreh Basha.
 
Nëpërmjet një Konference të jashtëzakonshme për shtyp, president”i Ilir Meta vendosi të kallëzojë penalisht kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi pretendon se ai ka bërë një lojë mafioze me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
 
LULJETA NDOKA