Maqedoni
Samiti “Maqedonia 2025”, ndotja po vret qytetarët e vendit
15.11.2019 18:47
Niveli i lartë i ndotjes së ajrit është shkaktar i vdekjes së rreth 3000 personave në vend...

Kjo gjendje alarmante kërkon veprime të përgjegjshme, aktivitete efikase nga të gjithë, si institucionet, komuniteti i biznesit, shoqatat qytetare etj, porositën të pranishmit në Samitin e 8 “Maqedonia 2025”.
Në luftën kundër ndotjes së ajrit të shfrytëzohet digjitalizimi dhe zgjidhjet teknologjike bashkëkohore, u tha me këtë rast.
“Digjitalizimi si proces ka filluar në një periudhë më të gjatë. Mendoj se duhet të punojmë me një tempo më të shpejtë, kemi zgjidhje Smart apo inteligjente të cilat janë të orientuara p.sh. në menaxhim të zgjuar të mbeturinave. Analizat tregojnë se shoferi mesatarisht gjeneron rreth 1.3 kg dioksid karboni, gjatë kohës që kërkon vend - parkim. Atëherë pse të mos keni një parking të zgjuar dhe në aplikacionin tuaj celular të gjeni saktësisht se ku ka vend të lirë për parkim dhe të shkoni direkt atje, në vend që të shkoni rreth e rrotull qendrës së qytetit disa here”,- deklaroi drejtori i Telekomit të Maqedonisë, Nikolla Llushev.
“Nuk kemi kohë të presim më tepër. Kemi një shtet të bukur, por me numër të lartë vdekjesh. Nga ana tjetër, kemi harxhime të larta mjekësore, këtë nuk duhet ta shohim si shpenzim, por si investim për jetën e njerëzve. Kemi shëndet të keq, ajër të ndotur, tokë dhe ujë të ndotur. Ky samit besoj se do të ndihmojë të mobilizohemi të gjithë, si pushtetit qendror dhe ai lokal, bizneset, sektori civil dhe qytetarët. Sa më shpejt i zgjidhim këto probleme, aq më shpejt mund të trokasim në dyert e BE-së për të kërkuar bisedime”,- u shpreh Mihajll Matevski nga GRINTEQ-MK.
Në muajt e dimrit kur ndotja e ajrit është më e madhe, sipas statistikave, Shkupi radhitet si qyteti i tretë më i ndotur në Evropë me grimca PM.
Atëherë shumë nga të rinjtë pyeten nëse ky është vendi i duhur për të jetuar, prandaj nëse shihet interesi kombëtar, duhet t'i zgjidhim urgjentisht këto probleme, u tha në Samit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
