Kulturë

Kultura ambasadori më i mire i një populli

21.09.2014 15:27

Filmi padyshim është ambasadori më i mirë i një shteti por të mendosh globalisht dhe të veprosh lokalisht...

Filmi padyshim është ambasadori më i mirë i një shteti por të mendosh globalisht dhe të veprosh lokalisht,  është më se e vështirë në kushtet  në të cilat funksionin industria e filmit në  Maqedoni.
 
Kinematografia botërore dhe trendet zhvillimore janë të mbushura me ngjarje si ajo e Matrix dhe filmave që prekin imagjinatën më fasionuese të njeriut, por një krahasim i Maqedonisë me këto trende është një humbje kohe.
 
Aktori Visar Vishka thotë se Maqedonia është një treg shumë i vogël , mund të përfitohen me dhjetra mijra euro nga një film i mirë por mbetesh me kaq nëse filmi nuk dëpërton në vendet tjera të botës.
 
Nëpër filmat aktual në Maqedoni sipas tij, është i pashmangshëm edhe skematizimi që u bëhet shqiptarëve të ciët shpesh paraqiten në pamjen e tyre më të keqe, sipas interesave të politikës ditore dhe jo me vlerat e tyre të vërteta.
 
“Vlerësoj se duhet të hapet edhe një debat më i madh se si harxhohen me miliona euro për projekte me frymë nacionaliste, prej këtyre miliona eurove shumë pak shkojnë te artistët shqiptarë dhe normal kur të tjerët meren me ne na paraqesin si duan ata si njerez të malit, njerez jo –intelektual. Nëse duhet që një maqedonas ose i huaj të luaj një shqiptarë e marin e gjejnë menjeher por kur ndodh e kunderta që shqiptari të luaj një maqedonas është shumë e vështirë , mua më kanë marrë në telefon me direktiva nga lartë disa regjisor maqedonas dhe e di mirë si shkon kjo punë”, shprehet aktori Visar Vishka.
 
Edhe producentët shqiptarë thonë se vështirësitë qëndrojnë në financim pasi aktorët e mirë nuk i mungojnë Maqedonisë. Sidomos aktorët që tashmë janë të njohur edhe përtej kufijve,  duhen shfrytëzuar në industrinë kinematografike. 
 
“Kemi artistë me të vërtetë shumë të mirë dhe ne duhet të punojmë me ta , ti shfrytëzojmë ata nëpër filma dhe përmes ekraneve televizive nëpër seriale të ndryshme”, shprehet producenti Arben Fejzullahu.   
 
Edhe përkundër vështirësive në financim,   filmi shqiptar në Maqedoni ka përjetuar  kulminacionet e tij. Kjo u pa edhe në festivalin 9/11 ku filmi ’My city Screams” rrëmbeu vendin e parë. Dhe për regjisorin e ri Ibraim dehari, festivali është vendi ku mer vlerësimin real për cilësinë e punës që bën, nga profesionistët. 
 
“Nëse bën një film dhe e shfaq në Youtube apo në TV, ai shihet nga publiku më I gjerë por vlerësim nuk merr. Cmimet janë ato që tregojnë se në cfarë niveli ka arritur filmi”, shprehet regjisori Ibraim Dehari. 
 
Edhe pse ne vazhdimisht e përsërisim se kultura është ambasadori më i mirë i një populli është  letërnjoftimi ynë për botën e jashtme, ne vazhdojmë ta trajtojmë kulturën edhe më tej si sekondare.
 
Pothuajse në të gjitha festivalet filmike në botë, prania e filmit shqiptar nga Maqedonia është simbolike edhe pse regjisorë dhe producentë të mirë tek ne  ka shumë.
 
Mund të ngushëllohemi me faktin se ato pak paraqitje të filmit shqiptar në botë, gjithnjë lënë nga një gjurmë sado të vogël. Por është koha që kultura filmike shqiptare e Maqedonisë të kalojë kufijtë kombëtarë e ti prezentohet botën me shkëlqimin e saj të vërtetë. 
 
MEMEDALI JUSUFI