Maqedoni

RMV, përforcon bashkëpunimin ekonomik me Rusinë

15.11.2019 19:24

Përforcohen bashkëpunimet mes RMV-së dhe Rusisë...

Grup i madh i kompanive nga të dyja palët janë të interesuar për bashkëpunim dhe investim për të ngritur nivelin e ekonomisë.
 
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski, dhe zëvendësministri rus i Industrisë dhe Tregtisë, Aleksii Gruzdev, sot u takuan në Ohër, ku u diskutuan edhe tema të shumta për investim në sferat e energjisë, transportit, bujqësisë, turizmit, si dhe bashkëpunimit në sektorin financiar.
 
“Rusia ka shfaqur interes. Mbrëmë në Shkup ishin rreth njëqind kompani nga vendi të cilat kanë mundësi të takohen, të bisedojnë, në mënyrë që të forcojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik me mbështetjen e të dyja qeverive”,- deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski.
 
Kreu i delegacionit rus në Komisionin Ndërqeveritar, Gruzdev, tha se delegacioni i shumtë i biznesit rus është këtu për të ofruar disa nga produktet dhe shërbimet e tij për partnerët e tyre në Maqedoni.
 
Potenciali për tregti dhe bashkëpunim ekonomik nuk është shfrytëzuar sa duhet. Ka interes në komunitetin e biznesit për bashkëpunimin në fushën e energjisë elektrike, zhvillimin e formave alternative të energjisë, infrastrukturës së transportit, produkteve bujqësore, bashkëpunimin në aviacionin civil, industrinë e automobilave dhe industritë farmaceutike dhe bioteknike.
 
Qarkullimi i përgjithshëm tregtar i vendit me Federatën Ruse këtë vit është vetëm 1.1%.
 
SEDAT SELIMI