Ndryshimi i emrave të shkollave në Çair, Komuna:Regjistri qëndror ngurron t’i regjistrojë
Komuna e Çairit ka realizuar obligimin ligjor...

Komuna e Çairit ka realizuar obligimin ligjor për ndryshimin e statutit në të cilin përfshihet edhe ndryshimi i emrave të shkollave fillore në Çair, “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov” në “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”.
Ndryshimin e emrave të këtyre shkollave Komuna e Çairit e llogarit si akt të kryer dhe pret rekomandimet e MASH-it për zgjidhjen e kësaj çështjeje, sepse sipas tyre Regjistri Qëndror ngurron të regjistrojë emrat e rinj të shkollave.
“Ajo që ne tani si Komunë e Çairit po e presim tani është vendimi i MASH-it, gjegjësisht rekomandimet e MASH-it për zgjidhje përfundimtare të kësaj problematike, pasiqë ne si Komunë e Çairit të gjitha obligimet e parapara ligjore në këtë drejtim i kemi realizuar. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me MASH-in dhe po presim që në kohë sa më të shpejtë të zgjidhim edhe problemin me ndryshimin e emrave të shkollave fillore.Ashtu siç çdo herë është potencuar në opinion se problemi qëndron në institucionin e Regjistrit Qëndror i cili sikurse ngurron të bëjë regjistrimin e këtyre emrave të shkollave, që nga ajo periudhë shpresoj se me koordinim të mirë edhe ky problem do tejkalohet në kohë sa më të shpejtë” – tha zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla.
Regjistri Qëndror: Nuk stopojmë dot një proces që nuk ka filluar
Për këtë çështje TVM 2 kërkoi sqarim nga Regjistri Qendror, për atë se a po frenon ky institucion ndryshimin e emrave të shkollave në Komunën e Çairit, prej ku me shkrim morëm këtë përgjigje : “Paraqitje për regjistrim të ndryshimit të emrave të shkollave fillore “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov”, nuk janë parashtruar.Informatat se Regjistri Qendror e frenon, ose nuk e realizon regjistrimin e ndryshimit të emrave të shkollave, janë të pavërteta.Është e palogjikshme që Regjistri Qëndror të stopojë një proces, për të cilin nuk ka filluar procedura në bazë të paraqitjes së parashtruar për regjistrim”.
MASH: Kërkesa për ndryshimin e emrave, nuk ka arritur
Ministri i Arsimit thotë se ende nuk i ka arritur kërkesa për ndryshimin e emrave të shkollave .
“Nëse eventualisht vjen një kërkesë e tillë, sigurisht se një gjë e tillë do konfirmohet. Kam kontaktuar me themeluesin, me Kryetarin e Komunës dhe ka mbetur të shqyrtohet mundësia e regjistrimit të atyre statuteve që ndodhen prej disa vitesh në zyrat e Regjistrit Qëndror,por gjithashtu kemi diskutuar edhe për modalitetet të tjera në drejtim të rrumbullaksimit të kësaj çështjeje, pa dashur ta politizojmë”, sqaron Ademi.
Edhe më tej për komunikimin zyrtar të shkollave me institucionet përgjegjëse përdoren emrat “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapacarov”. (Flutura Latifi, TVM2)
