Kërçovë, realizohet projekti “kulturë në çdo kënd”

17.11.2019 19:24

Në organizim të shoqatës “ArTact” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës....

Në organizim të shoqatës “ArTact” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në Qendrën për Kulturë në Kërçovë u zhvillua projekti “Kulturë në çdo kënd”, i cili filloi me projektin dramatik “Tregimi Zoologjik” në regji të Gent Çajanit dhe në interpretim të artistëve Rrahim Ramadani, Berat Mahmuti dhe Granit Vela.

Të panishmit ndoqën me vëmendje një ndodhi shumë interesante që ka ndodhur në parkun qëndror të qytetit, ku dy burra që takohen rastësisht prezentojnë dy botëra të ndryshme. Shfaqja ngriti dilemën se çfarë ndodh  kur ne humbasim sensin për të jetuar dhe si mund të fitojmë lirinë pa e lënduar askënd, duke prezentuar kështu mesazhin e paaftësisë për të ndryshuar kontekstet përballë jetës mizore.

Ndërkaq në mbrëmjen e dytë të manifestimit u prezentuan poetët, Albin Asani, Anjeza Asani, Driton Zenku dhe Erion Ahmedi, ndërsa më pas u prezentua, ekspozita e piktorëve kërçovar Valdeta Ibishi, Benita Xhelili, Mazllame Saliu, Lindita Ballazhi dhe Selime Osmani.

Manifestimi u mbyllë me koncertin e këngëve popullore dhe zbavitëse, të interpretuara nga solistët Uran Dervishi, Fjolla Aliu, Jetmir Mehmedi dhe Ferit Abdiu. (Shaban Dalipi, TVM2)