Maqedoni

Bruksel, mënyra e re e zgjerimit, para këshillit të BE-së

18.11.2019 10:28

Ministrat e BE-së fillojnë të diskutojnë sot situatën në fushën e zgjerimit dhe politikës...

Ministrat e BE-së fillojnë të diskutojnë sot situatën në fushën e zgjerimit dhe politikës së pranimit në një takim të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel. Ministrat do të shqyrtojnë për herë të parë propozimin francez për reformimin e politikës së zgjerimit, por nuk priten përfundime konkrete, njoftoi Këshilli i BE-së.
 
“Ky duhet të jetë vetëm hapi i parë për rinovimin e politikës së zgjerimit, si dhe besimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”,- thonë burimet e Këshillit të BE-së.
 
Javën e kaluar, Franca ua paraqiti të ashtuquajturin “propozim diskutimi” vendeve anëtare, duke përshkruar katër parimet që Parisi i sheh si bazë për një metodologji të re të zgjerimit të BE-së. Që nga bllokimi i hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor, Franca është përpjekur për një pranim më gradual në BE, hapjen e fondeve strukturore të Unionit për vendet kandidate, por edhe për një politikë më të rreptë të kushtëzimit dhe kthimin e procesit të zgjerimit.
 
Në Bruksel thonë se propozimi francez është një “subjekt për diskutim” dhe se forma përfundimtare e një reforme të mundshme të metodologjisë së zgjerimit duhet të varet nga konsensusi i të gjitha shteteve anëtare. Tani për tani, qëllimi është që gjithçka të precizohet deri në pranverën e vitit 2020, për të filluar negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përkatësisht për të rivendosur besimin dhe partneritetin e ndërsjellë në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, të planifikuar për në maj të 2020 në Zagreb.