Botë

Zjarr dhe dhunë, Universiteti Politeknik kthehet në bazë qëndrese

18.11.2019 14:23

Hong-Kongu po kalon orë kaosi. Universiteti Politeknik është kthyer nga protestuesit si një zonë qëndrese...

Hong-Kongu po kalon orë kaosi. Universiteti Politeknik është kthyer nga protestuesit si një zonë qëndrese për demokraci dhe pavarësi. Policia ka rrethuar ambientet dhe ka paralajmëruar arrestimin e pjesëmarrësve radikalë.
 
Policia e Hong-Kongut rrethoi të hënën një kamp universitar të zënë prej ditësh nga protestuesit.
 
Qindra të rinj me maska u përplasën me forcat speciale të rendit, duke i goditur me tulla dhe duke ngritur mure zjarri për të ndalur mësymjen e tyre te Politekniku.
 
Përdorimi i armëve të improvizuara, siç janë harqet me shigjeta zjarri, plagosën në këmbë një oficer.
 
Policia paralajmëroi agresorët se do të qëllohen me plumba të vërtetë nëse dhuna përshkallëzohet.
 
Universiteti që po përdoret për të bllokuar tunelin që lidhin ishullin e Hong-Kongut me zonën e Kaulunit u shpall të dielën një skenë trazirash, çka parashikon dënimin me 10 vite burg të autorëve.
 
Studentët që tentuan të largohen nga kampi universitar u prapsën me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome, ndërsa dhjetëra të tjerë u arrestuan.
 
"Shumë nga miqtë e mi ndihen të pashpresë, kemi frikë se do na dënojnë me burg. Apelojmë shoqërinë të vijë të na ndihmojë," deklaroi një student i bllokuar në Universitetin Politeknik.
 
Skenat e kaosit janë tensionuar së tepërmi prej javës së kaluar, por kanë ndarë opinionin publik.
 
Qytetarët pranojnë se një grup i vogël të rinjsh e ka radikalizuar lëvizjen për demokraci dhe autonomi të plotë nga Kina, dhe kjo gjë po rrezikon qytetin dhe banorët e tij./Ora News