Maqedoni
Specializantët me kofinancim, protesta para Ministrisë së Shëndetësisë
18.11.2019 15:06
Specializantët me kofinancim protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë...

Specializantët me kofinancim protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar vendime pune si dhe privilegje tjera që u takojnë mjekëve. Përfaqësues të specializantëve kanë realizuar takim me ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçen, por ai nuk u ka premtuar zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre, edhe pse ata insistojnë për zgjidhje brenda muajit.
“Kontratat tona janë me afat të caktuar deri në përfundimin e specializimit, e më pas ato kalojnë në vendime pa afat. Ndërkohë ne marrim pagë mesatare që është 24 mijë denarë, që është shumë më e unët nga pagat e personelit tjetër mjekësor. Ndërkohë, vet kofinancojmë specializim, që është e ndryshme dhe te disa arrin edhe deri te 80% pagesë individuale, ndërsa kemi kontrata të njëjta pune si specializantët të cilëve shteti ua paguan specializimin. Me ndryshimet e fundit te ata ka ndryshuar kthimi, një ndaj dy në vend të një ndajë pesë, te ne ka mbetur njëjtë, një ndaj pesë. Kishim marrëveshje me ministrin që kjo të ndryshojë me rregullativë ligjore, kjo nuk u realizua. Edhe kolegët që tanimë kanë specializuar ende nuk kanë marrë vendime të përhershme pune”,- deklaroi specializantja me kofinancim, Sandra Cilevska.
Bëhet fjalë për një grup prej 130 specializantëve me kofinancim të cilët kërkojnë datë konkrete për zgjidhjen e kërkesave të tyre, pasi me statusin që kanë ata theksojnë se nuk kanë mundur të përfitojnë as nga rritjet e fundit të pagave për personelin tjetër shëndetësor. Ndërkohë, në një komunikatë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë mirëkuptim për kërkesat e specializantëve me kofinancim dhe po kërkojnë mekanizma për përmirësimin e statusit të tyre.
“Kolegët e tyre specializantë privatë për herë të parë në vitin 2018 paguhen për punën që bëjnë. Ata deri atëherë punonin pa pagesë. Fokusin e kishim vënë te specializantët privatë, që t’u mundësojmë kushte më të mira për punë. Tani po kërkohet mekanizmi edhe për specializantët me kofinancim”,- thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga kjo ministri bëjnë të ditur se tanimë janë formuar grupe punuese që do të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ndërsa për këtë do të nevojitet edhe bashkëpunim me fondin shëndetësor dhe me kuvendin, pasi nevojiten edhe ndryshime ligjore. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se deri javën e ardhshme do të grumbullojnë të gjitha informacionet, kur edhe do të dihet dinamika e gjetjes së zgjidhjes.
VLORA LATIFI TOPOJANI
