Maqedoni

Timonie: Presim edhe reagimet e RMV-së për non-pejperin

18.11.2019 15:38

Franca u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së non-pejperin për qasjen e re të procesit të zgjerimit dhe tani pret reagimet...

Franca u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së non-pejperin për qasjen e re të procesit të zgjerimit dhe tani pret reagimet, fillimisht nga vendet anëtare, por edhe nga Maqedonia e Veriut, si vend aspirant për anëtarësim, thotë ambasadori francez, Kristian Timonie.
 
Ai premton se Franca me kujdes të madh do t’i shqyrtojë të gjitha reagimet, mendimet dhe sugjerimet, pasi të gjithë duhet të japin kontributin e tyre në përpilimin e metodologjisë së re negociuese, në të cilën sundimi i së drejtës dhe të drejtat bazike do të mbeteshin kërkesë integruese që nga momenti i hapjes së negociatave për vendet kandidate.
 
“Në esencë ato janë mendimet franceze që u janë dërguar të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe pas udhëzimeve të qeverisë sime të njëjtat i ka dorëzuar te përfaqësuesit e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Fillimisht jemi në pritje të vërejtjeve dhe reagimeve të vendeve anëtare të BE-së, mirëpo do të jemi shumë të kujdesshëm dhe me vëmendje të madhe do t’i dëgjojmë edhe vërejtjet e palës maqedonase për këtë çështje”,- deklaroi ambasadori i Francës në RVM, Kistian Timonie.
 
Rreth propozimit francez për metodologjinë e re të zgjerimit, ambasadori Timonie do të diskutojë në një sërë takimesh me krerët shtetërorë në vend, duke filluar me takimin me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili tanimë ka shprehur qëndrimin se është me rëndësi që me miratimin e metodologjisë së re për zgjerim të caktohet edhe data për fillimin e bisedimeve.
 
Ambasadori francez, Timonie, komentet rreth non-pejperit francez i bëri pas takimit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Sali Murat, me ç’rast e theksoi përkrahjen franceze për sundimin e plotë të drejtësisë.
 
Ndërsa kryetari i kushtetueses, Murati, tha se së bashku me të gjitha institucionet do të angazhohen maksimalisht për realizimin e rekomandimeve të BE-së.  
 
REXHEP QAMILI