Maqedoni
Rasti "Titanik 3", Fetai: Alimi pranoi se ka qenë në komunë
18.11.2019 16:06
Në seancën gjyqësore për rastin "Titanik 3", prokurorja, Fatime Fetai, lexoi dëshminë e të akuzuarit, Ejup Alimi...

Në seancën gjyqësore për rastin "Titanik 3", prokurorja, Fatime Fetai, lexoi dëshminë e të akuzuarit, Ejup Alimi, dhënë në zyrat e PSP-së, pasi paraprakisht u tërhoq propozimi i mbrojtjes për marrjen e tij në pyetje, që ishte e paraparë për ditën e sotme. Sipas këtij procesverbali, nga nëntori i vitit 2016, leximin e të cilit e kundërshtoi mbrojtja, Ejup Alimi ka mohuar të ketë kryer këtë vepër penale, por ka theksuar se ditën e zgjedhjeve të vitit 2013 kur janë numëruar votat në komunën e Çairit, ka qenë në komunë për rreth 15 minuta.
"Si përfaqësues i BDI-së isha në zgjedhjet e viti 2011, por jo në ato të vitit 2013. Bashkëshortja ime ishte kryetare e një bordi zgjedhor. Pas mbarimit të votimit, kur dorëzoheshin materialet në komunë, unë isha në Çair dhe e prisja bashkëshorten time të përfundojë sepse ishte vonë. Prita në korridor diku 15 minuta, por nuk hyra në hapësirat e statistikës",- thuhet në procesverbal.
Alimi: Në PSP isha si dëshmitar, jo si i dyshuar
Fetai më tej shtoi se procesverbali i është lexuar dhe të njëjtën e ka nënshkruar i akuzuari Alimi. Megjithatë, sipas të akuzuarit, Ejup Alimi, në kohën kur ai është marrë në pyetje në PSP, deklaratën e ka bërë në cilësinë e dëshmitarit dhe jo të dyshuarit, siç thotë prokurorja Fetai dhe për të njëjtën kërkoi incizim që të dëshmojë deklarimin e tij.
"Unë në PSP isha i ftuar si dëshmitar dhe në atë zyrë nuk kishte askush tjetër vetëm ne të dy, as person i angazhuar për të shkruar procesverbalin. Ju jeni mësuar t’i keqpërdorni dëshmitarët. Përderisa merrja pjesë në mbledhje të qeverisë, më kërkuan në telefon nga PSP dhe më thanë të nënshkruaj diçka, erdhën dhe i nënshkrova në mur. I nënshkrova pasi kam besuar në drejtësi",- tha Alimi.
Ndërkohë trupi gjykues njoftoi se akoma presin përgjigje nga organet kompetente të Gjermanisë sa i përket ftesës për dëshmi të Resmijë Bislimovskës.
Seanca e radhës për rastin "Titanik 3", që ka të bëjë me shkatërrimin e materialit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të vitit 2013, do të vazhdojë më 4 dhjetor.
FLORIJE BELULI KAMBERI
