Timonie ia dorëzoi Osmanit non pejperin francez
Ambasadori francez, Kristian Timonie, e ka njoftuar zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani....

Ambasadori francez, Kristian Timonie, e ka njoftuar zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani, me propozimin francez për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së. Pasi mori non paperin francez, Osmani tha se në lexim të parë dokumenti përmban shumë gjëra pozitive, mjaft revolucionar dhe kompleks.
“Fakti se dokumenti parasheh anëtarësim të plotë dhe asgjë më pak se anëtarësim të plotë si qëllim përfundimtar i procesit të bisedimeve, kjo lë jashtë debatit të gjitha bisedat për alternativa të mundshme të zgjerimit se ne duhet kërkojmë alternativë ose se Europa do të ndahet me shpejtësi të ndryshme dokumenti dhe metodologjia parasheh anëtarësim të plotë dhe asgjë më pak. Qeverisja e mirë si parakusht për lëvizje para në këtë proces është e një rëndësie të veçantë nëpërmjet një monitoringu më strikt dhe preciz nëpërmjet udhërrëfyesve të detajuar dhe precizë të individualizuar për çdo vend, mendoj që do të mundësojë një fokusim të të gjitha qeverive, por dhe shoqërisë në përgjithësi, për të implementuar dhe përshpejtuar procesin e harmonizimit”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Ambasadori Timonie tha se ky është një hap i parë dhe se gjërat po shkojnë mirë. Njëherit u theksua se me metodologjinë e re vendit i mundësohet dhe qasja në fondet strukturore dhe politikave kohezive edhe para anëtarësimit në BE.( Gazmend Rexhepi, TVM2)
