Maqedoni

Presidenca ndau bursat “Boris Trajkovski”, 20 bursa për studime postdiplomike

18.11.2019 18:23

Kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, ndau bursat “Boris Trajkovski” për vitin akademik 2019-2020...

Bëhet fjalë për 20 bursa për studime postdiplomike, në biznes administratë në Universitetin “Sheffield city college” në Selanik.
 
Fituesit e bursave do të specializohen në sferën e biznes-administratës, menaxhmentit, marketingut dhe financave.
 
“Fituesit e bursave janë profesionistë me përvojë, të cilët përmes studimeve postdiplomike do të përfitojnë njohuri plotësuese për zhvillimin  e tyre personal, por edhe do kontribuojnë për institucionet dhe kompanitë në të cilët punojnë”,- deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
 
“Sipas të gjitha standardeve dhe kritereve janë përzgjedhur më të mirët dhe ky grup i bashkëngjitet grupit prej më tepër se 200 studentëve, të cilët janë pjesë e këtij bashkëpunimi trepalësh mes MASh-it, presidencës dhe përfaqësuesve të Universitetit “Sheffield city college” - Selanik”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Rezultatet e bursistëve dëshmojnë se ata janë profesionistë të dëshmuar, thekson Drejtoria e Universitetit të “Sheffield city college” nga Selaniku.
 
“Ju do të studioni në një nga 100 universitetet më të mira në botë. Bëhet fjalë për universitetin nga i cili kanë dalë 6 fitues të çmimeve nobel. Studimet kanë cilësi të lartë dhe ato për 25 vite ligjërohen edhe në vendet e rajonit”,- tha drejtori i Universitetit “Sheffield city college”, Joanis Ververidis.
 
Ndërkohë, bursistët vlerësojnë se me arsimimin plotësues do të kontribuojnë për shoqërinë.
 
“Paraqet një privilegj dhe një detyrim që këtë bursë ta shfrytëzojmë në formën më të mirë, të hapim horizontet tona, të rrisim kapacitetin tonë  dhe të njëjtat t’ia kthejmë shoqërisë në formën më të mirë. Falënderojmë të gjitha institucionet”,- u shpreh bursisti, Muhamed Alimi.
 
Në Universitetin e Shefildit ka rreth 1000 të diplomuar nga RMV-ja, prej të cilëve 250 janë bursistë të programit “Boris Trajkovski”. 
 
FLUTURA LATIFI