Hong Kong, studentët tentojnë të çajnë rrethimin policor
Studentët protestues në Hong Kong....

Studentët protestues në Hong Kong tentuan të dilnin nga mjediset e universitetit ku gjenden të rrethuar nga forca policore për të dytën ditë radhazi.
Grupe studentësh vrapojnë përmes resë së gazit lotsjellës dhe shiut të plumbave prej gome, duke u përpjekur të thyejnë kordonin policor që të dalin nga mjediset e universitetit. Pjesa më e madhe kthehen pa sukses.
Kjo ishte përpjekja e dytë që organizuan studentët për të çarë rrethimin policor që vazhdon që të dielën mbrëma.
Banorët lokalë shprehen të revoltuar pasi thonë se policia ka ndaluar qindra vetë duke ngritur akuza të sajuara lidhur me protestat. Protestat intensifikohen gjatë natës, kur ndizen edhe zjarre në mjediset e universitetit.
Nuk është e qartë sa studentë mbeten të rrethuar apo nëse kanë armë e ushqime. Studentët u ngujuan në mjediset e universitetit në fillim të javës së kaluar duke sjellë mjete të improvizuara luftarake si shishe benzine e katapulte.
Studentët kërkojnë reforma demokratike në këtë territor gjysmë-autonom që Kina e konsideron pjesë të saj.
