Botë
Pompeo: Vendbanimet izraelite nuk janë më të paligjshme
19.11.2019 12:17
Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar pozicionin e tyre ndaj vendbanimeve hebraike që ka ndërtuar Izraeli në Bregun...

Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar pozicionin e tyre ndaj vendbanimeve hebraike që ka ndërtuar Izraeli në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke mos i parë më ato si shkelje e ligjit ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se statusi i Bregut Perëndimor duhet të negociohet nga Izraeli dhe palestinezët.
Vendbanimet janë komunitete të krijuara nga Izraeli në tokën e pushtuar gjatë luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme. Ato kanë qenë prej kohësh burim i mosmarrëveshjeve midis Izraelit dhe palestinezëve, por edhe Izraelit dhe bashkësisë ndërkombëtare. Rreth 500,000 hebrenj jetojnë në rreth 140 vendbanime të ndërtuara që nga okupimi izraelit i Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor. Vendbanimet konsiderohen të paligjshme me ligjin ndërkombëtar, edhe pse Izraeli e kundërshton këtë. Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh dënoi njoftimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
"Paragjykimi i pjesshëm i SHBA-ve ndaj njërës prej tendencave më radikale në Izrael e pengon atë që të shohë parimet themelore të ligjit ndërkombëtar", tha Shtayyeh në një deklaratë për agjencinë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa.
"Deklarata e zyrtarit amerikan konfirmon se është partner në sulmet ndaj popullit tonë dhe të drejtave të tyre", tha në një deklaratë Hazim Kasim, zëdhënës i grupit palestinez Hamas, duke iu referuar sekretarit Pompeo. Kasim tha se vendbanimet izraelite janë "krime të luftës ku Izraeli dëboi pronarët e vërtetë të këtyre tokave dhe ndërtoi vendbanime duke përdorur forcë dhe solli izraelitët atje nga e gjithë bota".
Grupet Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës bënë thirrje për unitet kundër ndarjes së Palestinës.
