Maqedoni
Avramopolus: Mbështetja e BE-së për vendin tuaj do të vazhdojë
19.11.2019 14:52
Bashkërisht kemi arritur shumë dhe mbështetja ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor...

Bashkërisht kemi arritur shumë dhe mbështetja ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë që një ditë Maqedoninë e Veriut ta shohim anëtare të Unionit. Këtë mesazh e përcolli eurokomisari i Punëve të Brendshme dhe Emigrimeve, Dimitris Avramopolus, në Shkup, sipas të cilit situata me migrantët nuk është si në vitin 2016, por se presioni i tyre vazhdimisht po rritet. Potencon se bashkëpunimi me FRONTEX po jep rezultate.
“Do të vazhdojmë të punojmë me ju në rajon për t’i përforcuar kapacitetet për pranim dhe sistemet për azil. Angazhimi i shërbimeve për mbështetje të azilantëve i BE-së është shumë e rëndësishme, ashtu siç është e rëndësishme edhe bashkëpunimi me organizatën UNCHR. E gëzoni mbështetjen tonë operative, politike dhe financiare, me qëllim që të realizohen qëllimet tona të përbashkëta”,- tha eurokomisari i Punëve të Brendshme dhe Emigrime, Dimitris Avramopolus.
Spasovski: Nuk do të heqim dorë nga kursi evropian
Edhe përkundër të gjitha pengesave që po ballafaqohet vendi ynë në rrugën drejt BE-së, sërish nuk do të heqim dorë nga kursi evropian, nga reformat, ndërtimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, thekson ministri i brendshëm, Spasovski.
“Edhe përkundër pengesave me të cilat përballet vendi ynë drejt BE-së, vendi nuk do braktisë rrugëtimin evropian. Ka sfida rajonale të cilat mund të zgjidhen vetëm përmes partneritetit të fuqishëm me BE-së. Pjesëmarrja juaj në këtë forum është shprehje e gatishmërisë suaj për thellimin e bashkëpunimit tonë për një besim të ndërsjellë”,- u shpreh ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
Forumi është organizuar nga Maqedonia e Veriut, nën patronazhin e kryesimit të Finlandës me Këshillin e BE-së, ndërsa në të marrin pjesë edhe ministrat dhe përfaqësues të ministrive të punëve të brendshme të shteteve anëtare të BE-së, eurokomisarë si dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.
ZEKIRJA MEXHITI
