Maqedoni

Shilegov: Nxisim përdorimin e biçikletave dhe ecjes

19.11.2019 15:52

Stacionet matëse kanë treguar nivel të lartë të ndotjes së ajrit në Shkup, megjithëse jo në nivel alarmant...

Stacionet matëse kanë treguar nivel të lartë të ndotjes së ajrit në Shkup, megjithëse jo në nivel alarmant, siç ishte ditëve të kaluara.
 
Ndotja e ajrit në kryeqendër ka shënuar 55 mikrogram grimca PM10 për metër kub, që është për 5 mikrogram mbi normalen. Një ndër masat e pushtetit lokal për t’i kontribuar ndotjes është edhe nxitja e qytetarëve që të lënë veturat dhe të përdorin biçikletat.
 
Për këtë qëllim Qyteti i Shkupit së bashku me ndërmarrjen parqet dhe gjelbërimet si dhe ndërmarrjet tjera publike janë angazhuar për lirimin e hapësirës publike për nevojat e këmbësorëve dhe biçiklistëve, por edhe për rregullimin e hapësirave të gjelbra. 
 
“E stimulojmë transportin alternativ të qytetarëve tanë, biçiklizmin, ecjen në këmbë, apo trotinetët elektrikë, me qëllim që t’u dëshmojmë qytetarëve se kjo mënyrë është më pragmatike dhe më e mirë për lëvizje në zonën urbane, sidomos në pjesën qendrore të qytetit”,- tha kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
 
Kjo sipas kreut të Shkupit është vetëm fillimi i mikro 20, që parasheh rregullimin e 20 lokacioneve, me mbjellje fidanësh dhe zonave të gjelbra, si dhe trotuareve për këmbësorë dhe biçikleta në hapësira publike që deri tani janë shfrytëzuar për parkim automjetesh. 
 
GYLTENE SINANI