Maqedoni
Qytetarët pre e përmbaruesve, 130 mijë xhirollogari të bllokuara
19.11.2019 16:14
Qeveria të zgjedh problemin me përmbaruesit dhe të korrigjojë padrejtësinë..

Qeveria të zgjedh problemin me përmbaruesit dhe të korrigjojë padrejtësinë, sepse revolti tek qytetarët është i madh, në të kundërtën ata paralajmërojnë se drejtësinë do e marrin në duart e tyre, thonë nga Nisma “Stop përmbaruesve”. Protestuesit kërkuan ndryshime urgjente të Ligjit për përmbarim, sepse sipas tyre në shtet ka mbi 80 mijë qytetarë ose 130 mijë xhirollogari të bllokuara.
“Këto janë ankesa, shumica prej të cilëve të shkruara nga qytetarët ku janë bërë shkelje të rënda, diku edhe vepra penale nga ana e përmbaruesit. Përmbaruesit nuk kanë vepruar me ligjin, por kanë punuar së bashku me gjykata, bankat dhe kreditorët kriminelë”,- tha Ana Gligorova nga Nisma “Stop Përmbaruesve”.
“Shikoni se cilët qytetarë qëndrojnë pas. Ata janë të varfër në vend se qeveria të u dalë në ndihmë popullit, ajo dënon popullin sepse është i varfër. Kjo gjendje nuk durohet më, përmbaruesit kanë filluar t’i largojnë njerëzit nga shtëpitë e tyre”,- tha Marjan Ristovski.
Ankesat e qytetarëve do të parashtrohen deri tek ministrja e drejtësisë, ndërsa nga ky institucion informojnë se vitin e kaluar ka pasur mbikëqyrje inspektorale në teren për punën e përmbaruesit dhe janë parashtruar masat disiplinore.
“Pas propozimeve të parashtruara, Komisioni disiplinor në vitin 2018 shqiptoi 5 masa disiplinore. Një ka qenë vërejtje me shkrim, tjetra në të holla, ka pasur vërejtje publike, marrje të pakthyeshme të licencës dhe tjetra përkohësisht është marrë licenca për përmbarues”,- u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Vlladimir Dellov.
Protestuesit theksuan se çdo të marte në orën 11 e 30 do të vazhdojnë të protestojnë para Ministrisë deri në plotësimin e kërkesave.
REJHANE BUSHI METAJ
