Bashkëpunimi opozitar për zgjedhjet, Rexhepi: Intensifikimi pritet pas vitit të ri

19.11.2019 16:27

Partitë shqiptare opozitare vijojnë koordinimet e tyre për formimin e një fronti të përbashkët opozitar...

Partitë shqiptare opozitare vijojnë koordinimet e tyre për formimin e një fronti të përbashkët opozitar për zgjedhjet e 12 prillit të vitit të ardhshëm. Edhe pse liderët e “Lëvizjes “Besa” dhe “Aleancës për Shqiptarët”, Bilall Kasami dhe Zjadin Sela, javën e kaluar diskutuan këtë çështje, nga Lëvizja Besa thonë se ende është herët për t’i përafruar qëndrimet e tyre dhe se intensifikimi i këtyre takimeve pritet deri në formimin e qeverisë teknike.

“Është herët, ka edhe 4-5 muaj deri në zgjedhje, kështu që besoj se pas 3 janarit do të jetë ky proces më i intensifikuar rreth vendimit për daljen në zgjedhjet e ardhshme”,- u shpreh nënkryetari i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.

Mosmarrja e datës për bisedime në Bruksel, Rexhepi: Ngecje në reforma, propozoj komision për reforma

Partia e Kasamit akuzon qeverinë aktuale se ka dështuar në fushën e reformave në gjyqësi dhe prokurori dhe jorastësisht, sipas tyre, ishte i tillë epilogu përfundimtar në Samitin në Bruksel. Për këtë arsye, Lëvizja Besa propozon formimin e një komisioni të veçantë për implementimin e reformave të nevojshme në këto fusha.

“Edhe njëherë bëhet domosdoshmëri propozimi i Lëvizjes BESA për formimin e një Komisioni Shtetëror për realizimin e reformave në drejtësi, komision në të cilin do të participojnë në mënyrë direkte me drejtë vendimmarrje edhe ekspertë nga SHBA dhe BE”,- u shpreh nënkryetari i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.

Përfaqësuesit e Lëvizjes BESA konsiderojnë se përafrimi i vendit tonë drejt BE-së, sipas metodologjisë së re të zgjerimit, siç e kërkon Franca, është i mundur, por, siç thonë, nevojitet punë dhe përkushtim. (Rexhep Qamili, TVM2)