Maqedoni

Rinia të kyçet në vendimmarrje, Solomon Pasi: Pas anëtarësimit në NATO, BE detyrë e lehtë

19.11.2019 16:36

Nuk ka probleme politike që RMV të jetë anëtare e NATO-s, sepse problemet janë të natyrës teknike....

Anëtarësimi i vendit do të jetë zyrtar kur kryetari Pendarovski të ulet në një tavolinë me presidentët Tramp dhe Makron. Deri në këtë moment përmbani emocionet, porositi ish ministri i punëve të jashtme i Bullgarisë, Solomon Pasi.
 
“Ju lutem mos i humbni shpresat, nuk jeni anëtar, por do bëheni dhe prisni momentin kur do çelet shampanja, sepse kur të jeni fizikisht në NATO, ju bind se anëtarësimi në BE do të jetë detyrë më e lehtë, për shkak se uleni në tavolinë të njëjtë me njerëzit e njëjtë, flisni me ta për të njëjtat probleme, nuk u trajtojnë si aspirantë, por si anëtar i barabartë”,- tha ish ministri i jashtëm i Bullgarisë, Solomon Pasi.
 
Pa inkurajimin e të rinjve nuk mund të pritet prosperitet në vend dhe institucionet duhet të punojnë me përkushtim më të madh për të përmirësuar statusin e rinisë, theksuan autoritetet e vendit.
 
“T’i shfrytëzojmë përvojat e fqinjëve dhe përvojat e demokracive më të vjetra, që përmes strategjive dhe rekomandimeve të dëgjojmë zërin e të rinjve. Të gjithë ne kreatorët e politikës kemi obligim që të ofrojmë zgjidhje kreative për kërkesat e të rinjve. Pa pjesëmarrjen e tyre aktive nuk mund të shpresojmë në zhvillim dhe mirëqenie”,- u shpreh kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
 
“Patjetër duhet të gjendet mënyrë për angazhim sa më të madh të rinisë në proceset shoqërore dhe në trasimin e rrugës në të cilën do të ecë shteti, e cila do të na shpinte drejt një ardhmërie të ndritur dhe një të nesërme më të mirë për të gjithë qytetarët”,- u shpreh ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
“Qëllimi i këtij projekti është që rinia të nxitet dhe të aftësohet në pjesëmarrje aktive në vendimmarrje dhe bartëse në përhapjen dhe praktikimin e vlerave euroatlantike, është rinia me entuziamin që e ka në moshën e vet”,- theksoi analisti, Ismet Ramadani.
 
Projekti “Aftësimi i rinisë për pjesëmarrje aktive në vendimmarrje” e realizoi Këshilli Euroatlantik dhe Ambasada e Bullgarisë në Shkup.
 
FLUTURA LATIFI