Takimi ministror në NATO, Stoltenberg: Anëtarësimi i RMV-së, në fillimvitin e ardhshëm
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO...

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Veriut, Jens Stoltenberg.
Sipas tij, atëherë pritet të përfundojnë ratifikimet e vendeve anëtare, megjithatë në Samitin e Londrës më 3 dhe 4 dhjetor, do të jetë e ftuar edhe Maqedonia e Veriut. Deklarimi i Stoltenberg vjen një ditë para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare në Bruksel, ku prezent do të jetë edhe ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
“Maqedonia e Veriut është shumë afër anëtarësimit të plotë në Aleancë. Ne nënshkruam protokollin e anëtarësimit në pranverë dhe shumica e 29 parlamenteve të vendeve anëtare kanë ratifikuar dokumentin. Nuk pres që të gjitha shtetet të përfundojnë procesin në samitin e dhjetorit, por pres që kjo të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe atëherë Maqedonia e Veriut do të jetë anëtare e plotë. Në Samitin e Londrës vendi do të jetë i ftuar dhe kjo flet se Maqedonia e Veriut është shumë afër anëtarësimit të plotë dhe tanimë merr pjesë në të gjitha takimet e NATO-s”,- deklaroi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Franca dhe Spanja ende nuk kanë ratifikuar protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO. Sipas paralajmërimeve, Parisi zyrtar këtë do ta bëjë këtë javë, ndërkaq qeveria në Madrid pritet të formohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe më pas të ratifikohet dokumenti.
Ndërkohë në takimin e nesërm shefat e diplomacive do të dakordojnë dokumentin final për samitin e NATO-s në Londër.
Përmendet universi si vend ku duhet të ketë mbrojtje nëpërmjet një sistemi të paralajmërimit dhe jo vendosjes së armëve nga NATO.
Gjithashtu do të flitet edhe për luftën kundër terrorizmit dhe misionet për trajnime në Irak dhe Afganistan. (Meral Ismaili, TVM2)
