Maqedoni
Akuza mes LSDM-së dhe VMRO–së për keqpërdorim të mjeteve financiare
19.11.2019 17:41
Dy subjektet politike maqedonase në tentim për të sjellë tek qytetarët drejtësi...

Dy subjektet politike maqedonase në tentim për të sjellë tek qytetarët drejtësi, kanë akuzuar njëra-tjetrën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe të mjeteve financiare.
Konstantin Konstandinov nga LSDM ka pohuar se heshtja e cila po mbretëron në VMRO-DPMNE është një tregues i mirë për mbulim të skandalit të madh financiare, në lidhje me mënyrën e financimit të fushatës zgjedhore në zgjedhjet e fundit presidenciale të kandidaturës së kësaj partie, Gordana Siljanovska Davkova.
“Raporti financiar tregon se VMRO-DPMNE ka borxh prej 400,000 euro të cilat i kanë mbetur nga financimi i fushatës së Gordana Siljanovskës. Kjo është në kundërshtim me nenin 71 të Kodit Zgjedhor, i cili thotë se të gjitha shpenzimet e fushatës duhet të mbulohen ekskluzivisht nga fondet nga një llogari bankare. Dhe sipas nesh kjo është arsyeja pse VMRO-DPMNE hesht dhe pengon zgjedhjen e shefit të Zyrës së Auditimit të Shtetit. A ka frikë VMRO-DPMNE nga një institucion i pavarur i cili do të fillonte procedurat dhe hetimet, të gjitha indikacionet e mosrespektimit të tyre me ligjin”,- deklaroi Konstandin Konstandinov nga LSDM.
Kurse nga VMRO-DPMNE kanë kritikuar punën e Qeverisë në krye me Zoran Zaevit, sipas të cilëve kjo Qeveri dhe ministri i Punëve të Brendshme po tentojnë të krijojnë njësi të veçanta policore të cilat do të punonin edhe në zgjedhjet nën direktivat e Zaevit dhe Spasovskit.
“Zaevit nuk i duhet MPB e pavarur, Zaevi dhe Spasovski dëshirojnë të kenë polici nën ndikimin e partisë. Ndryshimet në aktin e sistematizimit janë shkelje e marrëveshjes mes liderëve të partisë dhe në një farë mënyrë po minon pozitën e ministrit teknik të MPB-së që do të vijë nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Prandaj përmes këtyre ndryshimeve, Zaev dhe Spasovski dëshirojnë ta fshehin krimin e tyre pasi të kalojnë në Qeveri teknike, por kjo do të zbardhet tërësisht pas 12 prillit, kur do të vijë ndryshime në Maqedoni”,- tha Orce Gjeorgjievski nga VMRO-DPMNE.
Përderisa në mes dy partive më të mëdha maqedonase vazhdon beteja për përfitimin e ndonjë poeni politik para zgjedhjeve të cilat janë caktuar më 12 prill, tek blloku politik shqiptar janë aktuale mënyra e koalicionimit të partive dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje.
FITIM KRYEZIU
