Maqedoni
Qendra e Shëndetit Publik: Brenda dy ditëve, afër 1000 vaksina
19.11.2019 17:56
Brenda dy ditëve, afër 1000 persona kanë pranuar vaksina kundër virusit të gripit...

Brenda dy ditëve, afër 1000 persona kanë pranuar vaksina kundër virusit të gripit, thotë drejtori i QSHP–së, Arben Ziberi.
Ai potencon se vaksinat kushtojnë 650 den. dhe mund të vaksinohen të gjitha grupmoshat, ndërsa të drejtë për të marrë vaksina pa pagesë kanë fëmijët deri në moshën 6 vjeçare personat me sëmundje kronike, personeli mjekësor, pensionistët, si dhe gratë shtatzëna.
“Në vaksinat pa pagesë sivjet Ministria ka hartuar një plan në bashkëpunim me institucionet tjera shëndetësore. Në grupin e kategorive që hyjnë pa pagesë janë fëmijët prej 6 muaj deri në 6 vjet, personat me sëmundje kronike, personeli shëndetësor, të gjithë pensionistët pa dallim shumës së pensionit. Këtë vit janë paraparë të përfshihen të gjithë pensionistët për dallim nga viti i kaluar që ka qenë në disa kategori”,- tha drejtori në QSHP-së, Arben Ziberi.
Qytetarët thonë se me marrjen e vaksinave kundër gripit, më lehtë i tejkalojnë viruset.
“Çdo vit marr vaksinë kundër gripit, gati 15 vite”,- tha një qytetar.
“Shpresojmë të kalojmë më lehtë me viruset gjatë dimrit, është me rëndësi që të marrim vaksina rregullisht”,- u shpreh një qytetar.
“Edhe kur kam grip, më lehtë e tejkaloj me marrjen e vaksinës”,- theksoi një qytetar.
Qytetarët, përveç në Qendrën e Shëndetit Publik, vaksina pa pagesë mund të marrin edhe në tri pika shëndetësore, si në Çair, Jane Sandanski dhe Bukuresht.
VLORA LATIFI TOPOJANI
