Ligj për të drejtat e bashkësive më të vogla, Prekupenko: Plotësuam mangësitë
Propozim-Ligji i ri për të drejtat e bashkësive më të vogla....

Propozim-Ligji i ri për të drejtat e bashkësive më të vogla që janë më pak se 20%, ka për qëllim t’i plotësojë nevojat thelbësore të tyre.
Ndryshimet precizojnë punën e agjencisë dhe bashkëpunimin me institucionet, thanë pjesëmarrësit në debatin publik që organizoi Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive Etnike në Kuvend.
“Baza e këtij ligji është në ligjin ekzistues nga viti 2008 dhe i plotësuar në bazë të mangësive që u identifikuan gjatë zbatimit të tij”,- tha Nikolla Prekupenko nga Ministria e Drejtësisë.
Raman: Rrisim efikasitetin e agjencisë
“Rrisim transparencën dhe llogaridhënien e vetë institucionit, definojmë dhe zgjerojmë fushën e veprimit të agjencisë, precizojmë kompetencat”,- u shpreh Ilhan Raman nga Agjencia për të Drejtat e Komuniteteve më të vogla.
Smajloviq: Presim funksionalitet më të madh
Përfaqësuesja e komunitetit boshnjak, duke mbështetur propozimin, tha se pret një funksionalitet më të madh të agjencisë.
“Për ne bashkësitë më të vogla ka rëndësi funksionaliteti i agjencisë. Ky ligj nuk është shkruar për shkak të drejtorëve momentalë, por për gjeneratat e ardhshme. Nuk duam agjenci jofunksionale, siç ishte e kaluara. Definitivisht mbështes këtë iniciativë, por pres më shumë funksionalitet e më shumë dinamikë”,- tha Mersiha Smajloviq nga Bashkësia Boshnjake.
Ristiq: Ligj për drejtorin e agjencisë
Përfaqësuesja e Bashkësisë etnike serbe u shpreh e pakënaqur me propozim ligji.
“Ligji nuk e zgjidh problemin thelbësor të bashkësive etnike në Maqedoni. Nga 41 nene, 29 prej tyre flasin për drejtorin e për shpenzimin e mjeteve, ndërsa vetëm 12 nene, edhe atë vetëm në mënyrë deklarative, flasin për bashkësitë etnike. Më mirë ta quani ligj për drejtorin”,- deklaroi Bora Ristiq nga Bashkësia serbe.
Hasipi: Të drejtat varen nga dy bashkësitë më të mëdha
Realizimi i të drejtave të bashkësive më të vogla varet nga dy bashkësitë më të mëdha në vend, tha ish deputeti, Qenan Hasipi.
“Nuk munden pjesëtarët e bashkësive më të vogla etnike të luftojnë vetë për të drejtat e tyre nëse nuk bartin përgjegjësi dy bashkësitë më të mëdha etnike, shqiptarët dhe maqedonasit. Do të ishte gabim që kjo çështje të politizohet”,- tha Qenan Hasipi nga Bashkësia turke.
Ligji ri është harmonizuar me kornizën e konventës për gjuhë rajonale dhe të pakicave, ndërsa do të zëvendësojë Ligjin aktual për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive më të vogla etnike në vend. (Fitim Kryeziu, TVM2)
