Tiranë, takimi i Metës me opozitën

19.11.2019 20:18

Situata e rënduar politike pas përplasjeve për Gjykatën Kushtetuese...

Situata e rënduar politike pas përplasjeve për Gjykatën Kushtetuese ka dërguar në presidencë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe aleatët e tij opozitarë. Në takimin me dyer të mbyllura, që zgjati për 90 minuta, kreu i shtetit shprehu shqetësimin e tij lidhur me ngërçin e krijuar me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës”,- sqaroi Presidenca në fund të takimit.

Pas këtij takimi ka folur edhe kryetari demokrat, Lulzim Basha, sipas të cilit është diskutuar edhe për reformën zgjedhore, drafti i së cilës do të publikohet javën e ardhshme.

Më pas presidenca ka dërguar në prokurori një padi penale për kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin, të cilin e akuzon për shkelje të rënda në emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. (Luljeta Ndoka, TVM2)