Botë

Afganistan, dy ushtarë amerikanë humbën jetën

20.11.2019 12:26

Ushtria amerikane thotë se dy prej anëtarëve të saj janë vrarë në një aksident me helikopter në Afganistan....

Përplasja e helikopterit është duke u hetuar, njoftuan forcat e SHBA-së, duke shtuar se "raportet paraprake nuk tregojnë se incidenti ishte shkaktuar nga të shtënat e armikut". Deklarata nuk jep detaje të mëtejshme. Talibanët pretenduan se ata e kishin qëlluar dhe rrëzuar helikopterin, duke thënë se "të gjithë ata që ishin në bord u vranë".
 
Një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes, kundërshtoi pretendimin e talibanëve, duke thënë "nuk kishte asnjë përfshirje të zjarrit të armikut në rrëzimin e helikopterit." "Asnjë anëtar i forcës së sigurisë afgane nuk është lënduar", tha zëdhënësi Fawad Aman.
 
Rrëzimi i helikopterit vjen një ditë pasi dy pengje perëndimore u liruan nga ana e talibanëve, në këmbim të tre të burgosurve talibanë, duke rritur shpresat për bisedime paqeje midis grupit militant dhe qeverisë në Kabul.