Maqedoni
Autoritetet me apel: Orenditë shtëpiake të mos hidhen në kontejnerë
20.11.2019 14:10
Të gjithë bartim përgjegjësi për mbrojtjen e ambientit jetësor....

Në këtë përgjegjësi hyn edhe fakti se ku i hedhim mbeturinat. Jemi dëshmitarë të hedhjes së orendive të vjetra shtëpiake pranë kazanëve për mbeturina, pikërisht aty ku nuk duhet. Për mbetjet e forta ekzistojnë punktet e veçanta dhe autoritetet apelojnë që qytetarët t’i hedhin orenditë dhe elektroshtëpiaket në këto punkte.
“Të gjitha mbetjet shtëpiake, qofshin elektrike apo lloj tjetër, apelojmë te qytetarët që t’i hedhin pa pagesë këtu në punktin tonë dhe të mos i hedhin në vende ku janë të vendosura kazanët e mbeturinave, për arsye se na e vështirësojnë punën tonë të përditshme si të punëtorëve ashtu edhe të veturave komunale që i kemi”,- tha drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Abdulsamed Shabani.
“Me anë të posterëve informativë dhe fletushkave do t’i njoftojmë qytetarët si dhe ku në mënyrë të drejtë të hedhin mbeturinat. 10 të punësuar në pjesën e bashkësive urbane të komunës janë autorizuar për kontrollor komunal, me çka rritet kontrolli në teren dhe sanksionet për ndotësit me vetëdije të ambientit jetësor”,- tha kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev.
Qytetarët që nuk kanë mundësi vetë të hedhin orenditë dhe aparatet e vjetra në punktet e caktuara, kanë mundësi që të thërrasin në tel 080-222-33 që punëtorët e “Higjienës Komunale” t’i transportojnë mbeturinat e tilla. Prej të martën ka filluar edhe aksioni për pastrimin e deponive të egra në komunat e Aerodromit, Çairit, Butelit dhe Shuto Orizares, që do të vazhdojë edhe në komunat tjera të kryeqendrës.
GYLTENE SINANI
