Maqedoni

Të rrisim vetëdijen e të rinjve, “Dhuna prodhon dhunë, ndaloje, mos e nxit!”

20.11.2019 15:00

“Dhuna prodhon dhunë, ndaloje, mos e nxit!”, është një fushatë që vazhdon tashmë gjatë kohë...

“Dhuna prodhon dhunë, ndaloje, mos e nxit!”, është një fushatë që vazhdon tashmë gjatë kohë, me synimin për të ngritur vetëdijen tek të rinjtë të parandalojnë dhunën.
 
Por, me gjithë fushatat e vazhdueshme, dhuna që shpeshherë nxitet nga gjuha e urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare, është ende prezente. 
 
“Gjatë këtij viti në Ministrinë e Brendshme janë deponuar 16 fletëparaqitje për gjuhë të urrejtjes. Ne motivojmë qytetarët që ata të bashkëpunojnë me ne dhe ne do të jemi aty edhe për masat preventive edhe ato represive”,- tha zëvendësministri i punëve të brendshme, Agim Nuhiu.
 
“Bashkërisht duhet ta ndalojmë dhunën dhe ta ç’rrënjosim qysh në fillim. Pikërisht për këtë jemi këtu për t’u dhënë porosi të gjithë të rinjve që asnjëherë të mos provokojnë apo të nxisin situatën, sepse në fund të gjithë ne do të jemi humbës. Sjellja e tillë është e papranueshme për të gjithë, sidomos tek të rinjtë”,- deklaroi drejtori në Agjencinë, Darko Kaeski.
 
Autoritetet vazhdojnë të mësojnë të rinjtë si të largohen nga dhuna, sidomos në shkolla. 
 
“Këtë fushatë Qyteti i Shkupit e ndërlidh me projektin e ashtuquajtur “Qytet i sigurt”, në të cilin jemi të kyçur përmes shkollave të mesme, me qëllim që në mënyrë aktive të ndikojmë në mënjanimin e dhunës në shkollat e mesme të qytetit”,- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Gati në të gjitha shkollat e mesme të qytetit janë formuar ekipe për siguri me pedagogë dhe psikologë, përfaqësues nga Këshilli i Prindërve, nga Sektori i Punëve të Brendshme, profesorë, nxënës dhe sigurim nëpër shkolla.
 
Ekipet kanë për detyrë që të detektojnë arsyet e mundshme për paraqitjen e dhunës dhe ta parandalojnë atë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI